Shërbimet publike “në derën e shtëpisë”/ ATSH udhëton me zyrën lëvizëse të ADISA në Zall-Herr


TIRANË, 16 nëntor/ATSH-A. Fortuzi-A. Alla/ Agjencia e Ofrimit të Shërbimeve të Integruara (ADISA) përmes Zyrës Lëvizëse është duke dhënë një ndihmë të madhe për qytetarët që ndodhen në distanca të largëta fizike me zyrat e shtetit, për të marrë pranë vendbanimit shërbimet që u takojnë.

Furgoni me logon ADISA ka nisur prej një muaji udhëtimin e tij për të ofruar shërbime në zonat ku mungojnë zyrat që ofrojnë shërbimet publike. Dy qarqet ku po aplikohet projekti pilot janë Tirana dhe Shkodra, sipas një kalendari të përcaktuar. Agjencia Telegrafike Shqiptare ka udhëtuar me zyrën lëvizëse ADISA në njësinë administrative të Zall-Herrit, në Tiranë. Qytetarët duken entuziastë për këtë nismë.

Renata Shehi, specialiste e Zyrës rajonale ADISA në Tiranë tregon se fluksi është i lartë.  “Jemi akomoduar në furgon që prej fillimit të kësaj nisme më 10 tetor. Janë tri njësi momentalisht: Zall-Herri, Baldushku dhe Shëngjergji, teksa presim të nisim punën edhe në Kërrabë. Shërbimet që ofrojmë janë shërbimet e Agjencisë së Kadastrës dhe ISSH. Fluksi ka qenë i lartë, qytetarët kanë marrë informacionin e duhur dhe sipas rasteve edhe kanë aplikuar. Në çdo njësi ne paraqitemi një herë në javë: Të martën në Baldushk, të mërkurën në Shëngjergj dhe të enjten në Zall-Herr”, – tha Shehi.

Xhavit Xhepa, përgjegjës i sektorit të Shërbimeve Zall-Herr, tha se kjo zyrë ka lehtësuar jetën për rreth 12 000 banorë. “Njësia administrative e Zall-Herrit ka 10 fshatra, me rreth 12 000 banorë, që nuk do të kenë më nevojë të udhëtojnë drejt Tiranës, duke ndërruar 3-4 urbanë. Zyra ADISA është një mundësi mjaft e mirë. Është fillimi i kësaj pune. Ne kemi njoftuar të gjithë banorët dhe mendojmë se në të ardhmen do të shtohet edhe më tej fluksi. Kjo risi u vjen në kohën e duhur dhe u vjen në ndihmë banorëve nga Herra, Priskë e Vogël, Qenami, fshatra të largët, nga ku duhen 2-3 linja urbane për të arritur në Tiranë. Po ashtu të gjithë e dimë fluksin e madh të qytetarëve në zyrat e Kadastrës në Tiranë, ndërsa këtu mesa shoh, të gjithë të interesuarit mbarojnë punë shumë shpejt, një ndihmesë e madhe”, – nënvizoi Xhepa.

Edhe banorët e Zall-Herrit shprehen për ATSH se janë mjaft entuziastë. “Kam ardhur për të kryer legalizimin, kam 25 vite që po përpiqem për të legalizuar shtëpinë, por s’kemi pasur zgjidhje. Falënderojmë qeverinë, se na ka lehtësuar shumë punë duke e sjellë pranë këtë zyrën”, – tha një zotëri për ATSH.

“Edhe unë jam për legalizimin. Jam duke plotësuar dokumentacionin. Rroftë qeveria që na solli zyrën kaq pranë shtëpisë. Nuk sorollatemi më”, – u shpreh një zotëri tjetër.

“Jam nga njësia e Qenamit. Kemi vite që vuajmë për prona. Kemi vuajtur në Tiranë se ka radha të gjata, por tani e kemi te dera e shtëpisë. Nuk po sorollatemi më. Kemi humbur kohë në Tiranë, por duke aplikuar këtu marrim shërbimin menjëherë”, tha ai.

Një tjetër banor tha se falë kësaj nisme nuk ka më sorollatje dhe shërbimet janë te dera e shtëpisë. /r.e/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.