Nisma Ime/ 13-vjeçari propozon, krijohet qeveria e nxënësve në shkollat e vendit


TIRANË, 16 nëntor/ATSH/ Dashnor Veizaj, nxënës në klasën e 8-të të shkollës 9-vjeçare ‘”Skënder Libohova” në Lushnje iu drejtua platformës së bashkëqeverisjes, duke propozuar nismën që mundëson ngritjen e qeverisë së nxënësve në çdo shkollë të Republikës së Shqipërisë.

Nisma e tij, që synon që nxënësit t’i rritet më shumë autoriteti në shkollë, u miratua dhe Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë ngriti një grup pune që do të ndiqte krijimin e qeverive të nxënësve në çdo shkollë.

“Mirëmëngjes dhe me rastin e këtij djali vetëm 13 vjeç që shkroi në shqipëriaqëduam.al dhe i’u realizua ideja duke inkurajuar çdokënd që ka një ide a projekt të mos ngurrojë t’i drejtohet platformës, ju uroj një fundjavë të bukur”, tha Rama.

13-vjeçari nga qyteti i Lushnjes e shkroi idenë e tij në platformën e bashkëqeverisjes në rubrikën “Nisma ime” dhe ia doli.

Ai u bë nismëtari për ngritjen e qeverisë së nxënësve në shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në të gjithë Republikën e Shqipërisë, duke dërguar një propozim konkret se si mund të realizohej ky projekt.

“Shkruajta një rregullore për ngritjen dhe mirëfunksionimin e qeverisë së nxënësve dhe bashkëngjita pjesën për krijimin e parlamentit të nxënësve, si do të krijohej apo funksiononte dhe që ata ta ngrenë zërin e tyre që të jetë sa më i dëgjueshëm”, tha 13-vjeçari.

Ai tha se idenë e shkroi gjatë 3 muajve të verës. “Si fillim ia tregova mamit, e cila nuk e priti dhe aq mirë pasi tha se unë duhet të jem i përqendruar te mësimet dhe më pas ia tregova mësueses kujdestare, e cila e priti shumë mirë dhe u mahnit nga studimi që unë kisha bërë për qeverinë e nxënësve”, tha ai.

13-vjeçari kërkoi një takim me Ministren e Arsimit, e cila vuri në dispozicion një grup pune për mirëfunksionimin e qeverisë, e cila filloi punë menjëherë në çdo shkollë. Ideja shkoi deri në krijimin e parlamentit ku çdo nxënës do të jetë i aftë të shprehë mendimin dhe të gjithë bashkë duhet të bëhemi për një përfaqësim sa më dinjitoz.

Platforma e bashkëqeverisjes edhe këtë herë tregoi se si i krijon mundësinë të gjithë atyre që kanë një shqetësim, projekt apo ide, duke mos njohur as moshë dhe as gjini./m.m/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.