Turizmi forcoi lekun në këmbim me euron dhe dollarin amerikan

TIRANË, 15 nëntor /ATSH/ Fluksi në rritje i turistëve në vendin tonë dhe sezoni i zgjatur turistik që u favorizua nga moti i mirë, forcoi ndjeshëm pozitat e monedhës shqiptare lek ndaj euros dhe dollarit amerikan gjatë vitit 2019.

Në raportin e politikës monetare që publikoi sot Banka e Shqipërisë, shpjegohet se tre mujori i tretë i vitit 2019, është karakterizuar nga vijimësi e mbiçmimit të lekut kundrejt euros.

Kursi mesatar gjatë kësaj periudhe rezultoi 121,6 lekë/euro, me një forcim tremujor të lekut prej 1,2%, po aq sa edhe në tremujorin e dytë të tij. Edhe mbiçmimi vjetor i lekut në këtë periudhë, prej mesatarisht 3,5%, rezultoi pranë vlerës së shënuar në tremujorin e dytë të vitit (3,4%).

Kjo ecuri e kursit vlerësohet brenda linjave të sjelljes sezonale të tij dhe përkon me një  sezon më të mirë turistik, sikurse tregohet nga të dhënat indirekte të sektorit të turizmit.

Në përgjithësi, tregtimi i euros në tregun valutor ka qenë i qetë dhe treguesit e stresit në të janë paraqitur në nivele optimale, bën të ditur Banka e Shqipërisë.

Ndërsa ecuria e dollarit amerikan ka reflektuar mbiçmimin e tij në tregun ndërkombëtar valutor, por në një masë më të zbutur si rrjedhojë e forcimit të lekut kundrejt euros. Kursi usd/lek rezultoi mesatarisht 109,4 lekë/usd në tremujorin e tretë, me një nënçmim të lekut prej 0,9% krahasuar me një vit më parë.

Leku ka vijuar të nënçmohet kundrejt dollarit amerikan edhe gjatë tre javëve të para të muajit tetor, duke reflektuar kryesisht dobësimin e monedhës vendase kundrejt euros.

Në terma nominalë efektivë, leku u forcua me 1,1% në tremujorin e tretë. Mbiçmimi vjetor efektiv i lekut ka vijuar të ngushtohet, duke shënuar 2,2% në muajin shtator, nga 5,8% dhe 10,2% që shënonte përkatësisht në muajin qershor të këtij viti dhe në fund të vitit të kaluar. e.xh/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.