Presidenti i UEFA-s: “Air Albania Stadium”, një xhevahir i vërtetë

TIRANË, 15 nëntor/ATSH-Arbi Fortuzi/ Të dielën, 17 nëntor 2019, do të jetë një datë historike pasi do të përurohet stadiumi më i madh kombëtar në Shqipëri, “Air Albania Stadium”. Stadiumi me një kapacitet prej 21.690 vendesh, do të jetë një pasaportë e rëndësishme për kombëtaren shqiptare.

Federata Europiane e Futbollit, UEFA ka konfirmuar zyrtarisht se, Presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin ka pranuar ftesën për të qenë pjesëmarrës për ndeshjen e parë zyrtare, kundër kampionëve të botës. Madje, vetë Ceferin ka folur në lidhje me këtë event.

“Në mënyrë që futbollit të mbetet popullor dhe të tërheqë sa me shumë të rinj në stadiume, është e domosdoshme që tifozët të kenë mundësinë që t’i shikojnë ndeshjet në një ambient të sigurtë dhe të rehatshëm. Stadiumi Air Albania është një xhevahir i vërtetë dhe do të doja t’i shprehja përgëzimet e mia Federatës Shqiptare të Futbollit dhe aktorëve të tjerë që janë përfshirë në mbikëqyrjen dhe përfundimin e kësaj arene të mrekullueshme”, u shpreh Čeferin.

“Gjatë viteve të fundit, Shqipëria ka shënuar një progres të jashtëzakonshëm si brenda dhe jashtë fushës në drejtim të zhvillimit të futbollit. Tashmë të rinjtë në të gjithë vendin mund të ëndërrojnë që një ditë të përfaqësojnë Shqipërinë në këtë stadium të mrekullueshëm”.

Përfundimi i Arenës Kombëtare, e cila u financua pjesërisht nga UEFA, dëshmon për një angazhim të Federatës Shqiptare të Futbollit (FSHF) për të përmirësuar infrastrukturën e futbollit të vendit të saj, duke ndërtuar kështu baza të reja.

Gjatë viteve të fundit, “Elbasan Arena” dhe “Loro Boriçi” në Shkodër janë rikonstruktuar plotësisht dhe kanë pritur ekipin kombëtar. Ndërkohë, stadiumi “Zeqir Ymeri” në Kukës është duke u rikonstruktuar, sipas projektit të financuar bashkërisht nga FSHF dhe UEFA, nën udhëheqjen e organit drejtues evropian të futbollit që mbulon pothuajse 50% të kostove totale që vijnë nga programi i ndihmës HatTrick i UEFA-s.

“Ndeshja e së dielës do të jetë një moment historik për futbollin në Shqipëri, pasi më në fund mbështetësit nga i gjithë vendi do të mund të ndjekin Kombëtaren tonë të luajë në një arenë fantastike dhe moderne. Do të dëshiroja të shprehja mirënjohjen time ndaj UEFA-s për mbështetjen financiare që ata kanë dhënë si edhe për mbikëqyrjen e projektit, duke na ofruar ekspertizë tejet të vlefshme,“ tha presidenti i FSHF dhe njëkohësisht anëtar i Komitetit Ekzekutiv të UEFA-s, Armand Duka. /r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.