Meta luftë me botën, interpretues i vetëm dhe fuqiplotë i Kushtetutës, si talebanët me Librin e Shenjtë

TIRANË, 15 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se “nuk kemi luftë ne me Ilir Metën, ai ka luftë me botën, Europën, me Shqipërinë, me qeverinë dhe me veten, le të vazhdojë ta bëjë atë luftë. Ne kemi detyrën që të shmangim të gjitha efektet negative që aktet e asaj lufte kanë mbi proceset tona, mbi proceset zgjedhore, mbi proceset e formimit të institucioneve të drejtësisë dhe mbi çdo proces tjetër”.

Në fjalën e tij në seancën plenare gjatë debatit për miratimin e rezolutës së Kuvendit për shmangien e krizës kushtetuese, Rama tha se “Meta ka marrë përsipër të jetë interpretuesi i vetëm dhe fuqiplotë i Kushtetutës së Shqipërisë, njësoj si ata talebanët që e quajnë veten interpretuesit e vetëm e fuqiplotë të Librit të Shenjtë”.

“Asnjë Kushtetutë në asnjë vend demokratik nuk mund të parashikojë se një vendi mund ti bjerë taksirati që të ketë një president si Ilir Meta. Ky kuvend duhet të marrë masa ligjore kushtetuese për të krijuar të gjithë mekanizmat zhbllokues ndaj çdo akti flagrant dhe brutal bllokimi të atij që zyrën e Presidentit e ka kthyer në një frëngji për të shantazhuar parlamentin, ndërkombëtarët dhe popullin shqiptar”, – theksoi Rama.

Kreu i qeverisë shprehu besimin se Komisioni Ad Hoc i ngritur për shkarkimin e Ilir Metës duhet ta konsiderojë shumë seriozisht edhe paketën e rekomandimeve për Kuvendin ashtu sikundër në dritën e kësaj ngjarje të re Komisioni i Ligjeve dhe gjithë deputetët duhet të kontribuojnë për të riardhur këtu në Kuvend më shpejt se vonë dhe për të votuar neutralizimin e akteve të Presidentit, e akteve antikushtetuese dhe antiligjore.
“Merreni me mend është shumë e thjeshtë, kemi bërë një reformë drejtësie për të hequr interesat e politikës dhe pazaret e politikës nga procesi i emërimeve. Kemi ngritur një komision të posaçëm të pavarur, Këshillin e Emërimeve në Drejtësi, i cili është institucioni i vetëm që ka detyrimin, përveç se të drejtën, të udhëheqë procesin dhe ti vendosë përpara Presidentit dhe Kuvendit listat e kandidaturave sipas mekanizmave të mirëpërcaktuar dhe sipas radhës për të zgjedhur”, – nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “nuk ka interpretime të mundshme në këtë proces, nuk ka zyra ligjore as në Presidencë, as në Kuvend as në Kryeministri që mund të bëjnë interpretime dhe mund të thonë se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi e ka gabim, është njësoj sikur të mblidhet Kuvendi këtu dhe të bëjë një interpretim se Gjykata Kushtetuese e ka gabim, apo të mblidhet Qeveria dhe të bëjë një interpretim se një gjykatë ka vendosur gabim”.

“Natyrisht gjithkush ka të drejtë të bëjë të interpretime politike dhe mediatike, por nuk ka askush të drejtë që interpretimet ti kthejë në instrument për të kundërsulmuar dhe për të mos iu bindur institucioneve të pavarura të drejtësisë. Është shumë e thjeshtë të gjitha interpretimet e tjera janë dokrra hini, kur thoshte At Gjergj Fishta. Kush jemi ne, kush është ky President, se kush janë këtë të tjerët që bëjnë komente në studio e portale, as ia vlen fare të ngresh pyetjen. Kush jemi ne që mund të interpretojmë dhe të vendosim ndryshe nga ç’kanë vendosur institucionet e drejtësisë dhe në rastin konkret Këshilli i Emërimeve në Drejtësi”, tha Rama .

Kryeministri Rama tha se “nuk ia vlen të humbasim më shumë kohë për të komentuar dhe analizuar marrëzitë e Ilir Metës. Na ka rënë ky taksirat ne, i ka rënë ky taksirat shqiptarëve dhe të bashkëjetojmë me këtë taksirat për aq kohë sa Zyra e Presidentit të Republikës do të jetë tokë e zanun nga dikush që ka humbur busullën, por nga ana tjetër ne jemi të detyruar të ndjekim vijën e drejtë që kemi përcaktuar së bashku me aleatët tanë strategjikë dhe për sa kohe SHBA dhe BE zyrtarisht, publikisht kanë mbështetur çdo lëvizje që kemi bërë”.

Sipas tij, kushdo që do të kuptoj kupton se në këtë proces as jemi vetëm dhe as marrim përsipër që vetëm të bëjmë reagimet tona.

“Reagimet tona janë të koordinuara pasi kemi dëgjuar dhe dëgjojmë me shumë vëmendje ata me të cilët e kemi bërë reformën në drejtësi dhe ata me të cilët do ta zbatojmë reformën në drejtësi”, – shtoi Rama.

“Kjo është edhe arsyeja që edhe për ligjin special kundër krimit të organizuar dhe KÇK-së ne jemi në një proces intensiv diskutimi dhe koordinimi me ta, pasi do të jetë një luftë që nuk është parë ndonjëherë në Shqipëri dhe do të jetë një luftë ku kemi nevojë pa diskutim për mbështetjen e tyre jo thjesht mbështetje juridike, por mbështetje e gjithanshme.

“Në këto kushte të votojmë rezolutën dhe të vazhdojmë pa humbur fokusin nga detyrat dhe detyrimet tona”, – tha Rama. /k.s/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.