Materniteti “Mbretëresha Geraldinë” së shpejti me dy salla të reja lindjeje

TIRANË, 15 nëntor/ATSH/ Maternitetit “Mbretëresha Geraldinë” do i shtohen së shpejti edhe dy salla të reja që do të presin lindjen e bebeve. Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, e cila ka kryer sot një inspektim në këtë maternitet, ka parë nga afër punimet që po kryhen për rikonstruksionin e ambienteve të tij.

Ministrja shprehet se dy sallat e reja që po rikonstruktohen në pavijonin e tretë gjinekologjik në këtë maternitet do të kenë standarde bashkëkohore për të ofruar shërbim të denjë për nënat dhe fëmijët që do të vijnë në jetë.

“Gjatë inspektimit të punimeve që po kryhen për rikonstruksionin e pavijonit të tretë gjinekologjik në Maternitetin “Mbretëresha Geraldinë”. Shumë shpejt 2 salla të reja, me kushte moderne dhe standardet më të mira do të jenë gati për të pritur lindjen e bebeve,” shprehet ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu.

Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale prej kohësh ka në fokus shëndetin e nënës dhe të fëmijës. Për këtë qëllim janë ndërmarrë edhe mjaft investime për përmirësimin e infrastrukturës spitalore në maternitete.

“Punojmë çdo ditë për përmirësuar shëndetin e nënës dhe fëmijës,” nënvizon ministrja Manastirliu. /a.sh./r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.