Manja: Nuk ka asnjë shans që Presidenti të shpërndajë parlamentin

TIRANË, 15 nëntor/ATSH-Maela Marini/ “Nuk ka asnjë shans që Presidenti të shpërndajë parlamentin”, deklaroi sot në një prononcim për mediet kreu i Komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja.

Manja iu përgjigj deklaratës së sotme të Presidentit Ilir Meta, duke kujtuar se Kushtetuta flet qartë çfarë kompetencash ka Presidenti.

“Nuk ka nevojë për ligjin e Presidentit, sepse Kushtetuta flet qartë çfarë kompetencash ka Presidenti, çfarë kompetencash ka Kuvendi dhe çfarë kanë organet e tjera Kushtetuese. Mos u merrni me absurditete të tilla”, – iu drejtua Manja gazetarëve.

Sipas tij, “sovranin e ka zgjedhur populli dhe jo Presidenti dhe është populli ai që vendos për sovranin”. “Nuk ka asnjë shans”, – tha Manja duke iu përgjigjur pyetjes nëse Presidenti mund të shpërndajë parlamentin.

I pyetur mbi mundësinë e shpërndarjes së parlamentit, Presidenti Ilir Meta tha sot se, “besoj se jam shumë i qartë. Secili të zbatojë kompetencat e veta, veprimet do të vazhdojnë të jenë nga presidenti institucionale, dhe në momentin e duhur presidenti do t’i drejtohet popullit dhe gjithë botës për të mbrojtur demokracinë që është dhunuar në mënyrën më barbare sidomos këto 2 vite kur është lënë qëllimisht pa gjykatë Kushtetuese”.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.