Kuvendi në seancë të Jashtëzakonshme, Balla: Presidenti u vetëtregua kundërshtari më i madh i Gjykatës Kushtetuese

TIRANË, 15 nëntor /ATSH / “Presidenti u vetëtregua si kundërshtari më i madh i Gjykatës Kushtetuese”, tha sot kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Në fjalën e tij nga foltorja e Kuvendit, kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla deklaroi se vendi ndodhet përballë një situate të jashtëzakonshme kushtetuese dhe si një Republikë e pastër Parlamentare kemi detyrimin për të gjetur zgjidhjen.

Duke folur për projektrezolutën, Balla tha se ky president do të mbahet mend gjatë për faktin se doli dhe u vetëtregua si kundërshtari më i madh i Gjykatës Kushtetuese.

“Për fat të mirë baballarët e Kushtetutës ishin të bindur mbi rreziqet që mund të vinin nga një President me pushtet të madh, për këtë qëllim i atribuuan Presidentit kompetenca kryesisht honorifike. Por ajo që nuk mund të parashikonin ishte fakti që Presidenti edhe pse me një pushtet thjesht honorifik të tentojë të bllokojë dhe të nxisë një krizë kushtetuese. Ky President do të mbahet mënd gjatë për shkak se doli dhe u vetëtregua kundërshtari më i madh i Gjykatës Kushtetuese. Në thelb duke simuluar një krizë kushtetuese, Presidenti po pengon plotësimin e vakancave në Gjykatën Kushtetuese, e cila duhet domosdoshmërisht të luajë rolin e saj kushtetues si mbrojtës të demokracisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut”, – deklaroi Balla.

Sipas Ballës ekspertët që kanë punuar me ndryshimet kushtetuese të miratuar në këtë sallë me 140 vota kanë parashikuar dhe mekanizmat zhbllokues për situata të tilla.

“Afati kushtetues 30 ditor është vetëm njëri nga mekanizmat zhbllokues. Nëse i referohemi opinioneve të Komisionit të Venecias, qasja e saj është e qartë, Gjykata Kushtetuese mbetet e një rëndësie të veçantë”, – theksoi ai.

“Në një nga opinionet e këtij Komisioni, e cila përsëritet në të gjitha opinionet që në thelb kanë kriza të ngjashme Kushtetuese, përmendim rastin e Polonisë, Ukrainës apo Sllovakisë, Komisioni shprehet: Si fillim, Komisioni i Venecias këmbëngul se funksionimi i vazhdueshëm i Gjykatës Kushtetuese si arbitri i fundit në çështjet kushtetuese është parësore për demokracinë, mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe sundimin e ligjit… Gjykata Kushtetuese është një çështje me shqetësim të lartë (an issue of major concern)”.

Duke u konsideruar një çështje e rëndësisë së veçantë për një demokraci, Komisioni i Venecias ka sugjeruar edhe mekanizma në funksion të zhbllokimit të një krize të mundshme kushtetuese. Në rastin e Ukrainës ku anëtarët e Gjykatës Kushtetuese bëjnë betimin para Parlamentit, fakti i refuzimit nga ky i fundit për të thirrur për betim anëtarët e përzgjedhur nga dy pushtetet e tjera çoi në një ngërç Kushtetues. Komisioni i Venecias sugjeroi një mekanizëm të paracaktuar “by default” për betimin e tyre. Ukraina zgjodhi ate te betimit te anëtarëve të zgjedhur pranë Gjykatës Kushtetuese, jo siç ishte parashikuar para parlamentit”, – deklaroi Balla.

Më tej, gjatë fjalës së tij, Balla theksoi se qytetarët shqiptarë e kanë të qartë se Presidenti Meta po bën ç’është e mundur për të frenuar Reformën në Drejtësi.

“Rasti i Gjykatës Kushtetuese është tentativa e radhës, e cila sigurisht do të rezultojë e dështuar, sepse kjo reformë nuk është e mazhorancës, por është e shumicës së qytetarëve shqiptarë”, – u shpreh Balla.

“Dua t’i bëj një apel presidentit: Është e papranueshme që në cilësinë e Kryetarit të Shtetit të përgojojë drejtues të institucioneve të tjera të vendit. Kushtetuta jonë e ka vendosur në majë të piramidës institucionale, por nuk ndodh asgjëkundi që presidenti të marrë nëpër gojë Kryetarin e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi. Presidenti duhet të të jetë i fundit, sa kohë Dvorani ka një në një nga pesë gjyqtarëve të dosjes penale të Ilir Metës, i cili ka pas mendim kundër me anëtarët e tjerë të gjykatës dhe kjo do të jetë një pjesë e kodit etik të çdo personi të dënuar apo jo kur bëhet fjalë për një çështje gjyqësore në ngarkim të tij. Është e padrejtë për këdo që presidenti të përdorë institucionin e presidentit për të atakuar një gjyqtar që ka gjykuar një çështje në ngarkim të tij, e që për rastin në fjalë mund të ketë kërkuar dhe burg”, – tha ai.

Balla shtoi se projektrezoluta mban një emërtesë disi të veçantë, “Shmangia e krizës kushtetuese”, pasi synimi është legjitimiteti i Gjykatës Kushtetuese e cila është dhe duhet të jetë detyre imperative e çdo institucioni të shtetit”.

“Ne duhet të respektojmë procedurën e përcaktuar në kushtetutë mbi renditjen e kandidatëve sipas meritës profesionale e morale në funksion të plotësimit të vakancave në Gjykatën Kushtetuese. Ne padyshim e kemi përshëndetur dhe mbështesim zgjedhjen e anëtarëve për në Gjykatën Kushtetuese, Besnik Muçi, Arta Vorpsi si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, për zgjedhjen e zonjës Elsa Tosku dhe Fiona Papajorgji me plot 105 vota nga ky Kuvend”, – tha ai.

“Kuvendi u informua se presidenti kishte nxjerrë një dekret për emërimin e zonjës Marsida Xhaferllari si anëtare e Gjykatës Kushtetuese dhe duke e konsideruar këtë akt në kundërshtim të hapur me Kushtetutën, veprim që ka deligjitimuar funksionimin e GJK”, – tha Balla. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.