Kontrolle efikase për sigurinë ushqimore/ Ndryshojnë 10 nene të ligjit

TIRANË, 15 nëntor /ATSH/- Ndryshimet në 10 nene të projektligjit për “Sigurinë Ushqimore” synojnë rritjen e efikasitetit në procesin e garantimit të sigurisë ushqimore, si dhe forcimin e kontrolleve në çdo hallkë të këtij sektori.

Sipas relacionit që shoqëron projektligjin, ndryshimet nisin me plotësimin e strukturës së vendeve vakante në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit (AKU), detyrimin e përafrimit të disa neneve sipas BE-së, që janë të lidhura direkt me hapjen e eksporteve shqiptare. Gjithashtu, ndryshime të tjera lidhen me përcaktimin e tarifës zero të licensimit të stabilimenteve, shpenzimet për analizat laboratorike të produkteve të importit do kryhen nga importuesit. Ndërsa një tjetër ndryshim që ka të bëjë me subjektet të cilat, gjobiten në një inspektim të vetëm mbi 300 000 lekë, kanë të drejtë ankimimi. Në një masë kundravajtje administrative më të ulët, nuk mund ngrihet komisioni.

Ky projektligj, pritet të miratohet në fund të vitit 2019 dhe parashikon të sjellë rritje të fondeve shtesë nga buxheti i shtetit, i cili do të përfshijnë kostot e drejtpërdrejta për sektorin publik (AKU, procesi i monitorimit), të përllogaritura afërsisht 110,400 mijë lekë. e.xh/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.