“Shqipëria punon tokën”, Çuçi: Panairi më i madh bujqësor dhe blegtoral, biznese edhe nga rajoni

TIRANË, 14 nëntor /ATSH/ Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi duke folur mbi edicionin e tretë të panairit më të madh të bujqësisë, blegtorisë dhe agropërpunimit “Shqipëria punon tokën”, është shprehur se ky është panairi më i madh bujqësor dhe blegtoral, i cili do të sjellë këtë herë, përveç prodhimit autokton shqiptar, edhe biznese nga vendet e rajonit.

“Në mes të Tiranës do kemi një fshat me kafshë, produkte, workshope ku do flitet për bujqësinë, skemat e AZHBR-së, etj.. Do ketë përfaqësues të agroturizmit. Do jetë një panair 360 gradë. E veçanta është që do kemi edhe biznese nga rajoni”, – u shpreh Çuçi, i cili ishte i ftuar në një studio televizive.

Në lidhje me protestën e fermerëve pak ditë më parë, ministri i Bujqësisë tha se ka pritur një grup përfaqësuesish dhe nga ana e këtij institucioni po shihen rrugët e zgjidhjes. “Është normale të ketë të pakënaqur. Sot prita një përfaqësi të shoqatës që protestoi. I bëra me dije që vetëm me dialog mund të kemi rrugëzgjidhje. Ata paraqitën disa pika, po i shohim. Çfarë janë në dorë të Ministrisë së Bujqësisë do i bëjmë”, – tha më tej ministri.

Duke folur për politikat bujqësore, ministri tha se ato kanë bërë që vetëm në 9-mujorin e parë të 2019-ës eksportet bujqësore të rriten me 24%, krahasuar me 2018. “Kjo më bën optimist që politikat që kemi ndjekur kanë dhënë rezultatet e tyre”, – u shpreh Çuçi.

“Sektori i bujqësisë, – tha ai, – është sektor i vështirë. Kudo ka probleme, sepse varet nga kushtet atmosferike. Ti mund të planifikosh çdo gjë, por ajo që ndodh, p.sh., këtë tetor me të nxehtin e pazakontë, ishte e papritur”. /a.sh./r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.