Koçi: Meta politikë personale me Kushtetuesen, do të mbrohet nga shkarkimi duke kapur institucionin

TIRANË, 14 nëntor /ATSH/ – Zv/ministri i Mbrojtjes, Petro Koçi, duke skanuar veprimet më të fundit të Presidentit të Republikës, Ilir Meta, lidhur me dekretet për zgjedhjen e anëtarëve të rinj të Gjykatës Kushtetuese, shprehet se e gjithë ajo që tenton të krijojë nuk ka të bëjë me ngërç institucional, apo krizë juridike, por është zgjedhje personale e tij për të shtënë në dorë këtë institucion kushtetues. Kjo sipas Koçit, për arsyen e vetme se Presidenti ndihet i kërcënuar nga nisma e mazhorancës për shkarkimin e tij e për këtë arsye kërkon që në Gjykatën Kushtetuese të vendosë njerëzit e kontrolluar prej tij.

“Nëse Meta do të shkarkohet, kjo do t’i shkojë Gjykatës Kushtetuese. Meta po zgjedh që të mbrojë interesat e tij personale që të mos shkarkohet”, – tha zv/ministri Koçi, i ftuar në një studio televizive.

Duke komentuar reagimin më të fundit të Kreut të Shtetit mbi betimin e anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Arta Vorpsi, ditën e sotme në noteri, për të cilën Presidenti tha se, “nuk ndalon askënd të betohet as tek noterja, as tek parukierja”, Koçi u shpreh se ishte vetë Ilir Meta që nuk e dekretoi atë.

“Duhet të bëhet betimi te Presidenti, por kur Presidenti të mbyll derën, a vlen një formulë e tillë te noteri?! Për Xhaferllarin Meta ka shkelur Kushtetutën. Mori vendim jashtë afatit dhe nuk ka zgjedhur nga lista e tre të parëve, por ka zgjedhur të katërtën. Me këto synon që Gjykata Kushtetuese të mos formohet”, – vijoi më tej Koçi.

Koçi shprehet se Presidenti Meta po bën më tepër politikë personale sesa në favor të opozitës, të cilës, sipas tij, i leverdis kjo sjellje.

“Besoj është më shumë personale e zotit Meta, sesa një aksion i ndërmarrë nga opozita për Gjykatën Kushtetuese, pavarësisht se opozitës i vjen mirë që Meta po bën diçka në favorin e vet. Dihet që opozita nuk ka qenë entuziaste për Reformën në Drejtësi. Asnjëherë s’kemi dëgjuar nga opozita të pranojë që sistemi i drejtësisë është i korruptuar. Nuk ka qenë në sinkron me vlerësimin e ndërkombëtarëve, por kanë bërë avokaten e drejtësisë së korruptuar”, – shprehet Koçi.

Sa i takon reformës zgjedhore, Koçi shprehet se nëse opozita do riangazhohej në mënyrë destruktive do ishte një autogol, duke pasur parasysh çfarë ka bërë në vitin e fundit./a.sh./

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.