Kavajë/ Nis në 2020 ujësjellësi i ri, 24 orë ujë të pijshëm për 42 mijë banorë

TIRANË, 14 nëntor/ATSH/- Rreth 42 mijë banorë të Kavajës do të mund të furnizohen pa ndërprerje me ujë të pijshëm falë investimit që pritet të nisë në 2020.

Këshilli teknik i AKUM miratoi projektin për ujësjellësin e qytetit të Kavajës, i cili do të ketë ndërhyrje thelbësore në infrastrukturën e ujësjellësit me ndërtimin e rrjetit të jashtëm dhe të brendshëm, ndërtimin e një depoje të re 5 mijë m2, instalimin e ujë matësave, si dhe modernizimin përmes sistemit SCADA.

Falë këtij investimi sigurohet 24 orë ujë të pijshëm dhe me cilësi, 100% mbulim me rrjet dhe lidhje abonentëve me ujë matësave, rritja e performancës së UK Kavajë , me eleminimin e humbjeve në rrjet dhe uljen e kostove nga humbjet teknike. Po ashtu sigurohet eleminim i ndotjes së ujit dhe lidhjeve të paligjshme.

Kavaja sot përballet më orare të ulëta furnizimi me ujë të pijshëm kryesisht në qendrën e saj dhe me një rrjet të degraduar dhe tërësisht të amortizuar , investim vitit 1982.

Objektivi strategjik i qeverisë shqiptare është transformimi rrënjësor i sektorit të ujit për të përmirësuar cilësinë e jetës së qytetarëve, zhvillimin e qëndrueshëm të turizmit dhe nxitur rritjen e ekonomisë lokale.

/a.gjonaj/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.