BRUKSEL – Parlamenti i BE-së miraton komisionerët e rinj

BRUKSEL, 14 nëntor /ATSH-DPA/ Deputetët e BE-së miratuan Thierry Breton të Francës si komisionerin e ardhshëm të Tregut të Brendshëm të BE-së dhe kandidaten rumune Adina Valean, si komisionere Transporti, deklaroi në Twitter zëdhënësi i Parlamentit Europian, Jaume Duch.

“Koordinatorët në komitetet e Transportit, Tregut të Përbashkët dhe Industrisë së parlamentit, kanë rekomanduar të miratojnë komisionerët e caktuar, Valean dhe Breton”, shkruan Duch.

Tashmë pyetje të mëtejshme ka vetëm për kandidatin e Hungarisë, Oliver Varhelyi, para se presidentja e zgjedhur e komisionit Ursula von der Leyen, të paraqesë listën e saj përfundimtare të zyrtarëve të lartë për miratim nga legjislatura e BE-së.

Von der Leyen i qëndron besnike datës 1 dhjetor për fillimin e saj, pavarësisht vendimit të Britanisë së Madhe për të mos emëruar një komisioner. Ekzekutivi i BE-së po punon për të arritur një akord. / / sara/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.