​Gjykata Supreme merr vendim për ankesat e partive politike

PRISHTINË, 14 nëntor/ATSH/ Gjykata Supreme e Kosovës ka shqyrtuar dhe vendosur brenda afatit ligjor prej 72 orësh nga koha e depozitimit, për të gjitha ankesat e pranuara nga kandidatët për deputetë të subjekteve politike në lidhje me procesin zgjedhor të 6 tetorit.

Nga 7 ankesa gjithsej të pranuara, Gjykata Supreme ka refuzuar 6 ankesa të deputetëve nga subjekte të ndryshme politike, ndërsa ka hedhur poshtë edhe një kërkesë të kandidatëve për deputetë.

Sipas këtij vendimi janë refuzuar ankesa nga kandidatë për deputetë të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kandidatë për deputetë të Kosova Demokratik Turk Partisi (KDTP), kandidatë për deputetë të Partisë Liberale Egjiptiane (PLE), dy ankesa nga kandidatë për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, një ankesë nga kandidati për deputet i Partisë Demokratike të Ashkalinjëve (PDA), ndërsa ankesa nga kandidatë për deputetë të Progresivna Demokratska Stranka (PDS) është hedhur poshtë si e papranueshme.

/KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.