Projektbuxheti i 2020/Golemi: Turizmi gjithëvjetor në Gjirokastër, premtim që po bëhet realitet

TIRANË, 13 nëntor /ATSH/ -Viti 2020 sjell ndryshime të rëndësishme në Gjirokastër. Investim për Pallatin e Sportit, krijimi i dy parqeve argëtues e çlodhës, mbështetje financiare për Akademinë e Futbollit, ndërhyrje në objektet arsimore dhe ato të ciklit parashkollor.

“Borxhet e akumuluara nuk do të pengojnë investimet në shërbim të qytetarëve”, u shpreh Kryebashkiaku Flamur Golemi, gjatë takimit me këshilltarë e qytetarë gjirokastritë.

Furnizimi 24 orë me ujë i të gjithë qytetit, investime në segmentet dhe ndriçimin rrugor, pastrimi, përmirësimi i infrastrukturës turistike e muzeumeve, janë përfshirë në buxhet.

“Gjirokastra ka gjithë resurset dhe turizmi gjithëvjetor, është premtim që po bëhet realitet, nënvizoi Golemi.

Gjithashtu kryebashkiaku Golemi zhvilloi dhe një dëgjesë për projektbuxhetin e 2020 me banorët e Njësisë Administrative Lazarat.

“Nëse ka një zonë ku mund të zhvillohet turizmi ky është Lazarati”, tha Golemi.

Pasi dëgjoi shqetësimet e tyre për infrastrukturën shkollore, amortizimin e rrugëve, kanalet vaditëse, problemet me ujin e pijshëm, si dhe ato që krijohen si rezultat i daljes nga shtrati i përrenjëve, Golemi premtoi një sërë ndërhyrjesh.

Sipas tij, brenda dy viteve Lazarati do të ketë ujësjellës. Në buxhetin e 2020 do të ndërhyhet në qendrën ku kalojnë kohën të moshuarit. Një tjetër investim do të jetë krijimi i një këndi lojërash për fëmijë.

“Nga tre parqe të planifikuara për vitin e ardhshëm dy do të jenë në qytet dhe një në Lazarat”, nënvizoi Golemi. /a.a/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.