Porti i Durrësit thellon bashkëpunimin me Forcën Detare dhe strukturat e vendeve aleate

TIRANË, 13 nëntor /ATSH/ Komandanti i Forcës Detare shqiptare, Artur Meçollari dhe një grup drejtuesish ushtarakë nga Marina Mbretërore Britanike dhe Marina Kombëtare Franceze, zhvilluan mesditën e sotme një takim me Drejtorin e Përgjithshëm të Autoritetit Portual Durrës, Pirro Vengu.

Kreu i APD-së, i njohu të pranishmit me situatën aktuale të sigurisë dhe kapacitetet e Portit të Durrësit, duke theksuar rëndësinë që ka përmirësimi i mëtejshëm i këtyre standardeve në portin kryesor të vendit, i cili ofron hapësira të posaçme për Forcën Detare vendase dhe forcat aleate.

Më pas anëtarët e delegacionit vizituan disa prej kalatave, ku u njohën me kapacitetet operacionale të terminaleve të portit.

Porti i Durrësit dhe Forca jonë Detare kanë nisur një fazë të re bashkëveprimi për rritje të gatishmërisë dhe ofrimin e shërbimit në bashkëpunim me institucionet e tjera të sigurisë kombëtare. /a.a/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.