PRISHTINË, 13 nëntor/ATSH/ Ka filluar në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve (QNR) rinumërimi i 1428 vendvotimeve, për të cilat ka marrë vendim që të rinumërohen PZAP.
Zëdhënësi i KQZ-së Valmir Elezi u shpreh se janë 1428 vendvotime që do të rinumërohen dhe se janë shtuar kapacitetet duke punuar me dy ndërresa, në mënyrë që rinumërimi të përfundojë sa më shpejt.
Elezi tha se KQZ po mundohet që procesi i rinumërimit të përmbyllet sa më shpejt, e për këtë ai tha se kanë shtuar numrin e tavolinave të numërimit.
Sipas Elezit 1428 vendvotimet përbëjnë 56% të totalit të vendvotimeve. Ndërsa duke përfshirë edhe vendvotimet që janë rinumëruar më herët, ai tha se i bie të jenë rinumëruar 89% e vendvotimeve.
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) të hënën vendosi që të urdhërojë KQZ-në për rinumërimin e 1472 vendvotimeve pas ankesave të pranuara nga subjektet politike që gjithsej ishin 102, si dhe ta pranojë të bazuar ankesën e parashtruar nga Koalicioni Nisma-AKR-PD, që të largojë nga rezultati përfundimtar votat e ardhura nga Serbia.
Si pasojë e këtij rinumërimi, certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit pritet të ndodhë në fillim të dhjetorit, pasi rinumërimi parashikohet të zgjasë rreth 3 javë.
/KosovaPress/
