Denaj prezanton projektbuxhetin 2020: Rritja ekonomike 4.1%, tejkalon mesataren e rajonit në 3 vitet e fundit

TIRANË, 13 nëntor/ATSH/ Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaroi se rritja ekonomike e Shqipёrisё ka ndjekur njё trajektore rritёse tё qëndrueshme qё prej vitit 2013, duke e tejkaluar mesataren e rajonit nё tre vitet e fundit. Po ashtu, edhe norma e papunësisë në Shqipëri vijon të mbetet poshtë mesatares së rajonit.

Ministrja Denaj prezantoi në Komisionin parlamentar të Ekonomisë dhe Financave p/buxhetin 2020, ku theksoi se përmes projektbuxhetit 2020 mbështesim konsolidimin fiskal, financa publike të forta, stabilitet financiar dhe qëndrueshmëri të pozicionit të jashtëm të Shqipërisë.

Ky buxhet, sipas saj, synon realizimin e një rritjeje ekonomike, e cila parashikohet të jetë në nivelin 4,1% në vitin 2020, një rritje e gjeneruar kryesisht nga kërkesa e brendshme, si konsumi, ashtu edhe investimet.

Edhe e vendosur në një perspektivë rajonale, ministrja Denaj tha se rezulton se rritja ekonomike e Shqipёrisё ka ndjekur njё trajektore rritёse tё qёndrueshme qё prej vitit 2013, duke e tejkaluar mesataren e rajonit nё tre vitet e fundit. “Po ashtu, edhe norma e papunësisë në Shqipëri vijon të mbetet poshtë mesatares së rajonit”, – deklaroi Denaj.

Sipas saj, kjo rritje e parashikuar për vitin 2020 do të përkthehet në më shumë punësim, e konkretisht krijimin e rreth 35 mijë vendeve të reja pune, ulje e mëtejshme e shkallës së papunësisë poshtë nivelit 11%, si dhe sigurimin e një niveli të lartë të investimeve publike prej mbi 4,5% e Produktit të Brendshëm Bruto, në mbështetje të rritjes ekonomike dhe punësimit.

Ministrja Denaj, po ashtu theksoi se p/buxheti synon ruajtjen e balancës primare pozitive. “Kjo balancë do të jetë pozitive për të pestin vit radhazi në nivelin 0,7% duke synuar mbajtjen e borxhit në trajektoren rënëse. Në fund të vitit 2020 borxhi publik pritet të ulet në nivelin e 62,2% të PBB, për të zbritur poshtë 60% të PBB në 2021 dhe më tej në rreth 57% në vitin 2022”, informoi ministrja Denaj.

Një tjetër objektiv i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë për vitin që vjen është mbajtja e deficitit buxhetor nën nivelin e 2%. Për vitin 2020, sipas Denajt, planifikohet të jetë në nivelin 1,6% të Produktit të Brendshëm Bruto, niveli më i ulët i targetuar në dy dekadat e fundit.

/a.gjonaj/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.