Dekretimi i Xhaferllarit në Kushtetuese, Felaj: E pritshme, Meta e pa ligjin si lojë shahu

TIRANË, 13 nëntor/ATSH/ Dekretimi i Marsida Xhaferllarit si anëtare e Gjykatës Kushtetuese, për kryetaren e komisionit parlamentar të Sigurisë, Ermonela Felaj, ishte një vendim që pritej, ndërkohë që sipas saj, “do të ishte më e moralshme që Presidenti të kishte ndjekur kriterin e ligjit”.

E ftuar në një studio televizive, Felaj komentoi dekretimin e Xhaferllarit si anëtare të Gjykatës Kushtetuese, ndërsa shtoi se “Presidenti e pa ligjin si lojë shahu”.

Felaj tha se “më në fund Gjykata Kushtetuese i rikthehet funksionimit, sepse u plotësua kuorumi i nevojshëm që në momentin që u shënuan 5 anëtarë”.

Ndërkohë, sipas saj, “Presidenti e bëri këtë gjykatë me 6 anëtarë, dhe tani Gjykata Kushtetuese mund të zgjedhë dhe kryetarin e saj”.

Felaj tha se dekretimi i sotëm nga Presidenti pritej, madje sipas saj, “edhe debati që shkaktoi Presidenti ishte në vetvete një debat që synonte të justifikonte këtë zgjedhje”.

“Mua më vjen keq që Presidenti e pa ligjin si lojë shahu. Do ishte më e moralshme që të kishte ndjekur logjikën e ligjit, të ishte referuar te kushtet dhe kriteret që përcakton ligji. E kaloi në heshtje kandidaturën e Arta Vorpsit, duke u përpjekur të përçojë në publik një konflikt që nuk ishte në Kuvend. Inicioi një konflikt në dukje me Këshillin e Emërimeve në Drejtësi. Tejkaloi afatin 30-ditor dhe normalisht që kandidatja Vorpsi do të kalonte automatikisht”, tha Felaj.

Felaj tha se Xhaferllari nuk e ka kaluar procesin e Vetingut, pra nuk ka një vendim të shprehur dhe kjo është pikëpyetja e parë. “Nëse do të ishte zgjedhur dikush që të kishte një lidhje me mazhorancën, ju sot do të kishit përfaqësuesit e opozitës që të hidhnin baltë mbi ne, ne nuk e kemi bërë këtë lloj sjellje pavarësisht se nuk jemi indiferent ndaj lëvizjeve që janë bërë për të shkuar në emërimin e kandidatëve të veçantë. Kjo është një diferencë e qartë mes politikës që ofron mazhoranca dhe politikës së baltës që ofron opozita. Ishte zgjedhje e tjetër kujt, jo e Presidentit të Republikës. Formalisht procesi për të mbyllet këtu. Qartësisht është një person që bëhet pjesë e Gjykatës Kushtetuese duke qenë e pavetuar”, tha Felaj.

Ajo theksoi se Vorpsi është emëruar dhe kjo është një çështje e mbyllur, pasi emri i saj është botuar në Fletoren Zyrtare.

Felaj shtoi se “ligji në vetvete të imponon që ta respektosh, ndërsa në sjelljen e Presidentit morali nuk ka luajtur asnjë lloj roli”./m.m/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.