Dekretimi i Xhaferllarit/ Balla: Meta sot më mirë të kishte dekretuar Enkelejd Alibeajn anëtar të Gjykatës Kushtetuese

TIRANË, 13 nëntor /ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla e ka quajtur antikushtetues vendimin e Presidentit Ilir Meta për dekretimin e Marsida Xhaferllarit anëtare të Gjykatës Kushtetuese.

Gjatë një interviste, Balla deklaroi se Presidenti Ilir Meta sot mund të dekretonte në këtë post edhe Enkelejd Alibeajn, bashkëjetuesin e Marsida Xhaferllarit.

“Presidenti Meta mund të dekretonte edhe Enkelejd Alibeajn sot, sepse është po aq e pavlefshme sa edhe dekretimi i bashkëjetueses së Alibeajt. Unë e kam thënë dy ditë më parë në seancën e Kuvendit, që Presidenti Meta nuk ka asnjë bazë kushtetuese në vendimmarrjen e sotme. Meta ka pasur mundësinë të zgjedhë një prej tre kandidatëve të renditur të parët. Nuk e ushtroi këtë të drejtë brenda 30 ditëve. Afati kushtetues i Metës për ta dekretuar ka qenë 7 nëntori. Presidenti Ilir Meta e ka ezauruar të drejtën për të zgjedhur në këtë rast, sepse KED pas përfundimit të afatit 30 ditë ka emëruar atë që është renditur e para në listë. Nuk ka asnjë dallim nga qasja e Ilir Metës edhe për zhdekretimin e 30 qershorit. Ilir Meta mund të dekretojë anëtar të Gjykatës Kushtetuese Sali Berishën, por ai është anëtar i Gjykatës Kushtetuese për Ilir Metën, por nuk mund të jetë për Kushtetutën e vendit dhe për institucionin e Gjykatës Kushtetuese në këtë vend”, – tha Balla.

Duke e cilësuar si jolegjitime zgjedhjen e Xhaferllarit, Balla e akuzoi Presidentin Meta si një nga kundërshtarët e paepur të reformës në drejtësi.

“Gjykata Kushtetuese do të ndërtohet. Ju thatë këtu para pak minutash që reforma në drejtësi po kalon në shtigje të vështira. Është e vërtetë. Reforma në Drejtësi në Shqipëri prej vitesh ka pasur disa kundërshtarë ndër të cilët një ndër më të spikaturit mbetet z. Ilir Meta. Si kundërshtar i paepur i implementimit të plotë të Reformës në Drejtësi. Nuk ka asnjë diskutim për këtë çështje. Ajo që dua të them është se Kuvendi i Shqipërisë ka qenë modeli edhe në seancën e ditës së hënë, i një procesi tejet të rregullt brenda 30 ditëve”, – deklaroi Balla. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.