70-vjetori i KiE, Cakaj: Rrugëtim i përbashkët në ndërtimin e demokracisë

TIRANË, 13 nëntor /ATSH/ Seria e aktiviteteve publike për të shënuar 70-Vjetorin e Këshillit të Europës u finalizua mbrëmë në një pritje në Tiranë, e cila mblodhi partnerë kyç, përfitues e vendimmarrës për të festuar themelimin e organizatës politike më të vjetër në rajon, e njëkohësisht për të reflektuar mbi rezultatet e arritura si dhe sfidat e së ardhmes.

Pjesëmarrës në këtë pritje ishte edhe ministri në Detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj, i cili gjatë fjalës së tij theksoi se “ngjarja e sotme, është jo vetëm përkujtim i themelimit të Këshillit të Europës, por edhe një vlerësim i rrugëtimit të përbashkët në ndërtimin e demokracisë dhe afirmimin e vlerave që na mbajnë së bashku”.

Ndërsa Kreu i Zyrës së Këshillit të Europës në Tiranë, Jutta Gützkoë falenderoi partnerët e vendimmarrësit që punojnë së bashku me Këshillin e Europës për të çuar përpara mbrojtjen e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut.

E themeluar në vitin 1949, Këshilli i Europës është organizata lider e kontinentit për mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe ka 47 anëtarë, me një popullsi rreth 820 milionë.

/gj.mima/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.