Projekti i Unazës së Madhe/ Banorja-protestuese: Kam marrë dëmshpërblim 130 milionë lekë

TIRANË, 12 nëntor /ATSH/ Banorët, ndërtesat e të cilëve po prishen tek zona e Astirit, ku vijojnë punimet për Unazën e Madhe të Tiranës, janë kompensuar sipas ligjit për pronën e tyre që preket nga projekti.

Njëra prej banoreve, e cila ka qenë pjesë e protestave në këtë zonë, tha se ka marrë dëmshpërblim prej 130 milionë lekësh.

“Unë e kam shtëpinë nga mbrapa, nuk e kam nga përpara dhe tani më kanë dëmshpërblyer me 130 milionë lekë të vjetra”, tha ajo në një prononcim për televizionin ABC News.

Banorja vijon të jetë pjesë e protestës së banorëve tek Astiri, edhe gjatë ditës së sotme, kur ka nisur që në mëngjes aksioni i IKMT për prishjen e ndërtesave që preken nga projekti.

“Kjo qeveri tallet me këta banorë, vetëm do të fusë përçarjen”, u shpreh banorja në fjalë, e cila ka marrë dëmshpërblim për banesën e saj prej 130 milionë lekësh.

Gjatë aksionit nga Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit për prishjen e 33 objekteve në zonën e “Astirit”, për projektin e Unazës së Madhe së kryeqytetit, një grup banorësh kanë kundërshtuar me dhunë punonjësit e IKMT-së dhe punonjësit e Policisë. Nga spitali i Traumës, bëhet e ditur se janë lënduar 12 persona, pesë prej të cilëve efektivë policie por që janë jashtë rrezikut për jetën.

Policia tha se banorët përdorën sende të forta dhe molotovë kundër trupave të ruajtjes së rendit. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.