“Nxënësit dhe siguria në rrugë’’, Policia e Dibrës orë mësimore


TIRANË, 12 nëntor/ATSH-Arbi Fortuzi/ Nën moton “Siguria rrugore, sfida jonë e përbashkët”, gjatë ditës së sotme, në shkollën 9-vjeçare “Irfan Hajrullai”, punonjësit e Policisë Rrugore kanë bashkëbiseduar me nxënësit e klasave të VIII të kësaj shkolle për domosdoshmërinë e njohjes së sinjalistikës, zbatimin e saj dhe ndërgjegjësimin e gjithë përdoruesve të rrugës për rëndësinë e madhe që ka respektimi i rregullave të qarkullimit, me qëllim që të kemi një siguri rrugore në parametra sa më të kënaqshëm.

“Në kuadrin e masave të marra nga Policia e Dibrës për rritjen e parametrave të sigurisë së nxënësve, që prej fillimit të vitit të ri shkollor, Policia Rrugore, në të gjithë qarkun, po zhvillon orë mësimore dhe praktike në terren, me qëllim rritjen e sigurisë rrugore për nxënësit”-, njofton policia e Dibrës.

Shefi i Sektorit të Policisë Rrugore, Robert Aga ka theksuar se siguria rrugore është sot një nga problemet më të mprehta në botë. Në gjithë botën në çdo 27 sekonda vdes 1 njeri dhe plagosen 6 të tjerë. Nga këta, përqindja më e madhe i përket këmbësorëve, 30 % e të cilëve janë fëmijë. Makina mund të vrasë edhe më shumë se një pushkë, ndaj lind domosdoshmëria që njohuritë për qarkullimin rrugor të merren që në bankat e shkollës.

Siguria e nxënësve për ne është prioritet dhe në përmbushje të tij do vijojmë të bashkëpunojmë me stafet pedagogjike, bordet e prindërve, me qeveritë e nxënësve dhe me të gjithë nxënësit e çdo shkolle për të bërë të mundur që së bashku të rrisim parametrat e sigurisë rrugore, jo vetëm për nxënësit, por për të gjithë përdoruesit e rrugës, pasi investimi i nxënësve në sensibilizim ka një impakt të madh te përdoruesit e rrugës.

Nxënësit kanë bërë pyetje të shumta dhe specialistët e Policisë Rrugore u kanë dhënë përgjigje me gjuhë të thjeshtë për ta bërë sa më të kuptueshme për nxënësit. Më pas nxënësit dhe punonjësit e Policisë kanë zhvilluar një demonstrim në rrugë për të konkretizuar ato që diskutuan gjatë bashkëbisedimit. Në fund të aktivitetit, nxënësve u janë shpërndarë guida me këshilla praktike për sigurinë rrugore dhe fletëpalosje sensibilizuese me rregullat e qarkullimit rrugor. /j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.