LONDËR – Clinton: I turpshëm mospublikimi i një raporti mbi ndërhyrjet ruse në zgjedhjet britanike

LONDËR, 12 nëntor /ATSH-AFP/ – Hillary Clinton e gjykoi sot të turpshme që qeveria britanike nuk publikon një raport parlamentar mbi ndërhyrjet e mundshme ruse në politikën britanike para zgjedhjeve legjislative të 12 dhjetorit.

“E shikoj të pashpjegueshme që qeveria juaj nuk publikon një raport mbi influencën ruse. E pashpjegueshme dhe e turpshme”, deklaroi për BBC Radio 5 Live, ish-kandidatja për zgjedhjet presidenciale amerian, e cila ishte në Londër në kuadër të prezantimit të një libri.

“I gjithë elektorati ka të drejtë të shikojë këtë raport para zgjedhjeve”, theksoi ajo për BBC Radio 4.

Dorëzuar kryeministrit më 17 tetor pas një hetimi disa mujor, ky raport prej 50 faqesh nuk u bë publik pavarësisht thirrjeve të presidentit të Komisionit Parlamentar të hetimit dhe sigurisë (ISC), Dominic Grieve.

Për Grieven, dokumenti paraqet informacione të rëndësishme për zgjedhësit.

Sipas të përditshmes “The Guardian”, raporti shqyrton përpjekjet për ndërhyrje ruse në fushatën për referendumin në vitin 2016 mbi Brexit, duke përfshirë këtu dhe përpjekjet për infiltrimin e partisë konservatore të Boris Johnson.

Akuzuar nga opozita për fshehje të këtij raporti, qeveria konservatore e Boris Johnson u mbrojt duke theksuar se kalendari i publikimit ishte i zakonshëm./ /ec/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.