Iu drejtua Bashkëqeverisjes, i riu nga Durrësi fillon studimet pranë Akademisë së Sigurisë

TIRANË, 12 nëntor/ATSH/- Adelajd Allçi, banor në Durrës ka filluar studimet pranë Akademisë së Sigurisë, pas ankesës së drejtuar në platformën “shqiperiaqeduam.al”.

Allçi nga qyteti i Durrësit aplikoi pranë Akademisë së Sigurisë duke u shpallur fitues në dy fazat e para të testimit.

Në fazën e tretë dhe të fundit ai informohet se referuar të dhënave të deklaruara në formularin e besueshmërisë, dosja e tij do rikthehet për riverifikim, duke e bërë të pamundur vijimin e studimeve pranë Akademisë së Sigurisë.

Me marrjen e ankesës Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit dhe Akademia e Sigurisë në përputhje me procedurat e përcaktuara kryen verifikimet e duhura, nga ku Adelajd Allçi iu komunikua se është shpallur fitues. Aktualisht qytetari ka filluar studimet pranë Akademisë së Sigurisë.

Në takimin e përjavshëm me koordinatorët e bashkëqeverisjes në Kryeministri, Adelajd Allçi tha se “nuk besoja se platforma do funksiononte. Në krye të 10 ditëve mora zgjidhje, mora telefonatë nga koordinatori dhe tani jam në Akademinë e Sigurisë, aty ku ishte ëndrra dhe dëshira ime”.

Kryeministri Edi Rama tha se “kam marrë disa mesazhe në WhatsApp nga Akademia e Sigurisë, që kanë pasur karakteristika të tjera. Ndërkohë që djali ndoqi rrugën më të shkurtër se bashkëqeverisja, WhatsApp tim, pavarësisht se unë të gjitha ato që më vijnë dhe që lidhen me probleme që mbulon bashkëqeverisja i adresoj aty”. /k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.