Vakancat në Kushtetuese/ Gjonaj: Presidenti ka gabuar, mekanizmi zhbllokues i parashikuar në Kushtetutë zgjidhja më e mirë

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/558164881615473/

TIRANË, 11 nëntor/ATSH/ – Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, gjatë fjalës së saj në seancën plenare për votimin e dy anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese nga Kuvendi ndërmjet kandidatëve që kanë kaluar procesin e verifikimit të figurës dhe pasurisë nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, u shpreh sot se ngritja e kësaj gjykate përbën një domosdoshmëri edhe për faktin se është një ndër kushtet për hapjen e negociatave të Bashkimit Europian me Shqipërinë.

“Mungesa e Gjykatës Kushtetuese padyshim ka qenë një ndër çështjet më shqetësuese për të gjithë, duke e konsideruar si një ndër institucionet kyçe që luan një rol themelor në garantimin e ndarjes dhe balancimit ndërmjet pushteteve, në përcaktimin e roleve të të gjitha organeve kushtetuese, si dhe në funksionimin e vetë demokracisë së një vendi. Ngritja dhe funksionimi i Gjykatës Kushtetuese është një rekomandim dhe një shqetësim i të gjitha vendeve të Bashkimit Europian duke përbërë thelbin dhe një ndër kushtet për hapjen e negociatave me Shqipërinë. Për këto arsye, procesi i emërimit të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese përbën një domosdoshmëri dhe duhet të jetë prioritet mbi çdo prioritet i të gjithë institucioneve, të cilat duhet të veprojnë me përgjegjshmërinë maksimale në ushtrimin e detyrave kushtetuese”, – shprehet Gjonaj.

Sipas saj, Reforma në Drejtësi hap një kapitull të ri sa i takon procesit të përzgjedhjes së anëtarëve në Gjykatën Kushtetuese, ku edhe ndikimi politik ishte tejet i lartë.

“Me reformën e re në Drejtësi ne lamë pas një model ku emërimi i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese realizohej nga ndërveprimi i Kuvendit me Presidentin e Republikës ku mungesa e profesionalizmit, por edhe ndikimi politik në Gjykatën Kushtetuese ishte tejet i lartë. Tashmë me sistemin dhe formulën e re të zgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, ulet ndjeshëm ndikimi politik në zgjedhjen e anëtarëve, si dhe garantohet merita profesionale dhe integriteti i kandidatëve të paraqitur pranë organeve të emërtesës si Kuvendi ashtu dhe Presidentit, nga një organ i parashikuar në Kushtetutë si Këshilli i Emërimeve në Drejtësi”, – u shpreh ministrja e Drejtësisë.

Gjonaj tha se Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka kryer një proces të gjatë verifikimi dhe vlerësimi, duke i paraqitur listën me kandidatët më të mirë, sipas renditjes së pikëve, si Presidentit ashtu dhe Kuvendit. Por tha ajo, ky proces po pengohet qëllimisht nga Presidenti.

“Për fat të keq, edhe ky proces ashtu si çdo proces tjetër të reformës në drejtësi po shndërrohet në një instrument për të luftuar reformën në drejtësi dhe për të penguar ngritjen e Gjykatës Kushtetuese. Por sot gjendemi në një debat publik, midis Presidentit dhe KED-së, i cili më shumë se sa debat ligjor dhe kushtetues është një debat politik. Presidenti i Republikës pasi plotësoji një ndër vakancat e shpallura si organ emërtese, duke zgjedhur mbi listën e KED-së dhe duke emëruar Besnik Muçin për vakancën e dytë Presidenti nuk e ushtroi përgjegjësinë e tij për të zgjedhur kandidaturën për në Gjykatë Kushtetuese”, – tha Gjonaj.

Sipas saj, mekanizmi zhbllokues i parashikuar në Kushtetutë dhe në ligj do ishte zgjidhja më e mirë.

“Mungesa e shprehjes së vullnetit të Presidentit për vakancën e dytë, shpall automatikisht anëtar të Gjykatës Kushtetuese të parin të renditur nga Lista e KED-së, duke emëruar automatikisht anëtar të Gjykatës Kushtetuese znj. Arta Vorpsi. Asnjë mjet tjetër nuk mund ta zhbëjë këtë parashikim kushtetues, as me dekrete Presidenti dhe as me letra në të cilat kërkohet pezullimi i një afati, që jo më kot Kushtetuta e ka parashikuar si një afat të pandryshueshëm, të pa pezullueshëm dhe pa mundësi për tu shtyrë. Përndryshe nëse çdo organ emërtese do ti lihej në dispozicion mundësia për të bërë ndryshime, atëherë mekanizmi zhbllokues do të ishte një nulitet”, – shprehet ministrja Gjonaj.

“Presidenti i Republikës ka gabuar me shkresën që i ka dërguar KED-së për të pezulluar afatin, duke paraqitur argumente tërësisht antikushtetuese dhe të pabazuar në ligj mbi një afat kushtetues 30-ditor të panegociueshëm, por të detyrueshëm për zbatim nga të gjithë. Presidenti do gabojë rëndë nëse do të pasmarrë ndonjë vendim tjetër të ndryshëm nga ajo çfarë ka vendosur Kushtetuta lidhur me vakancën e dytë të gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese”, – tha më tej ajo.

Sipas Gjonajt, me dy vendimet pritshme të Kuvendit, së bashku me Vorpsin të emëruar automatikisht, numri i anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese arrin në 5 anëtarë, duke krijuar premisat për funksionimin e plotë të kësaj Gjykate brenda pak javësh. /a.sh./

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.