Studentët nga Vlora sjellin “La patente” të Luigi Pirandello në teatrin “Zihni Sako”

TIRANË, 11 nëntor/ATSH/- Komedia “La patente” e nobelistit Luigi Pirandello, e vënë në skenë nga studentët e grupit amatorial teatral të Vlorës u ngjit në fundjavë në skenën e teatrit “Zihni Sako” në Gjirokastër.

Publiku i pranishëm priti ngrohtësisht shfaqjen teatrale të interpretuar në gjuhën italiane nga trupa amatoriale e studentëve vlonjatë.

Me regji të Neritan Mehmetajt, me skenografi të Drini Shehut, kostumografi Realda Malo dhe muzikë të Aulon Naçit, në komedi interpretuan aktorët e rinj Martina Aliaj Mario Mu]aj, Thoma Ngresi, Loris Sinanaj, Elisa Meçaj, Kristina Zykaj.

Shfaqja u përshëndet edhe nga Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi.

“Një shfaqje ndryshe në teatrin “Zihni Sako”. Me ndihmën e aktorëve profesionistë, të rinjtë interpretuan sikur të kishin vite në skenë. Inkurajoj dhe mbështes aktorët tanë të përfshijnë në veprimtarinë artistikë në Gjirokastër edhe studentë të Universitetit “Eqrem Çabej””, tha Golemi.

Protagonistët e “La patente” janë gjykatësja D’Andrea dhe Rosario Chiarchiaro, punonjës në një dyqan pengjesh, i cili për shkak të namit të tij si ters-sjellës, humbi vendin e punës.

Ky njeri, i përbuzur dhe i izoluar nga shoqëria, denoncon dy të rinj të cilët në momentin kur u ka kaluar afër bëjnë gjestin tipik kundër tersit, atë të brirëve, për të larguar tersin.
Gjykatësja D’Andrea duhet të gjykojë një rast mjaft paradoksal: si njeri i ligjit dhe racionale, nuk beson në ekzistencën e tersit dhe në të njëjtin kohë duhet të qëndrojë mbi faktet pa marrë parasysh se Chiarchiaro, për shkak të gojëve të liga të fshatit, jo vetëm humbi vendin e punës, por edhe nuk mund të martojë vajzat dhe se ky nam sjell dëme dhe përbuzje për të gjithë familjen.j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.