PZAP i jep të drejtë Nismës për votat serbe, rinumërim në 1472 vendvotime

PRISHTINË, 11 nëntor/ATSH/ Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP), ka vendosur sot për të gjitha ankesat e paraqitura nga subjektet politike dhe kandidatët për deputetë të cilët janë paraqitur pas shpalljes së rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

PZAP bëri të ditur ditën e premte se, deri në orën 10:50 të datës 8 nëntor, kishte pranuar 100 ankesa nga subjektet politike dhe kandidatë të ndryshëm për deputetë, prej të cilave më së shumti ka pasur nga partia e Sllobodan Petroviqit, SLS, me 42 ankesa, pasuar nga LDK me 23, PDK 12, NISMA-AKR-PD 6, Lëvizja Vetëvendosje 5 ankesa, 9 ankesa nga partitë minoritare, si dhe nga dy kandidatë për deputetë.

Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa në mbledhjen e sotme lidhur me ankesat ka vendosur si më poshtë:

– Ka pranuar 53 ankesa dhe ka vendosur që të urdhërojë KQZ-në për rinumërimin e 1472 vendvotimeve.

– Ndërsa lidhur me ankesën e parashtruar nga Koalicioni Nisma – AKR – PD, ka vendosur që të pranojë të bazuar ankesën dhe ka urdhëruar KQZ-në, që të largojë nga rezultati përfundimtar i zgjedhjeve votat e votuesve jashtë Kosovës të ardhura nga Serbia.

– 23 ankesa janë konsideruar si të hedhura pas afate dhe nuk janë marrë parasysh.

– 25 ankesa janë refuzuar si të pabazuara.

– 1 ankesë është tërhequr.

Pas pranimit të vendimit nga PZAP-ja, subjektet politike që janë sërish të pakënaqura, kanë të drejtë të paraqesin ankesë brenda 24 orëve në Gjykatë Supreme, e cila nga ana e saj ka kohë 72 orë për të vendosur.

Pas kësaj procedure, ankesë mund të paraqitet edhe në Gjykatën Kushtetuese, së cilës koalicioni NISMA-AKR-PD, ka paralajmëruar se do t’i drejtohet për shkak të pakove të votimit të ardhura nga Serbia.

Kushtetuesja ka kohë deri në katër muaj që të trajtojë ankesat e ardhura nga subjektet politike.

KQZ më herët ka deklaruar se është në pritje të vendimeve të PZAP-it dhe Gjykatës Supreme, dhe se do të veprojë në përputhje me vendimet e tyre. Pas kësaj procedure, KQZ duhet t’i respektojë vendimet e këtyre dy institucioneve dhe të certifikojë rezultatet e zgjedhjeve, data e saktë e së cilës ende nuk dihet.

Sipas rezultateve përfundimtare të publikuara nga ana e KQZ-së, fituese e këtyre zgjedhjeve është Lëvizja Vetëvendosje, e ndjekur nga LDK-ja dhe PDK-ja, ndërsa koalicioni AAK-PSD renditet në vendin e katërt. Rezultatet janë kontestuar nga Nisma Socialdemokrate, e cila i ka quajtur ato të fabrikuara, pasi janë numëruar edhe votat nga Serbia. Kjo parti, e cila në zgjedhje ishte në koalicion me AKR-në dhe PD-në, sipas rezultateve të KQZ-së, ka mbetur jashtë Kuvendit duke marrë 4,984% të votave. /KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.