Korçë/ Kapen duke transportuar 15 shtetas të huaj, 2 në pranga

TIRANË, 11 nëntor/ATSH-Arbi Fortuzi/ Policia e Korçës ka arrestuar në flagrancë dy shtetas, njëri prej të cilëve drejtonte mjetin në gjendje të dehur, të cilët u kapën duke transportuar 15 shtetas të huaj, që kishin kaluar në mënyrë të paligjshëm kufirin.

“Strukturat e Drejtorisë Vendore të Kufirit dhe Migracionit Korçë, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme në DVP-Korçë dhe Komisariatin e Policisë Pogradec, kanë zhvilluar dhe finalizuar një tjetër operacion policor, ku janë goditur dy raste të veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj, për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit me qëllim dërgimin e tyre drejt vendeve të BE-së, si rezultat i të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve: M.M.,19 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë.  P.Gj., 45 vjeç, banues në Tiranë”-, njofton Policia e Korçës.

“Nga informacione të siguruara në rrugë policore, si edhe gjatë ndjekjes dhe kontrolleve që shërbimet e Policisë kanë ushtruar përgjatë aksit rrugor Bilisht-Pogradec, shtetasi M.M., u kap duke transportuar me mjetin tip “Volvo”, 12 shtetas të huaj dhe shtetasi P.Gj., u kap duke transportuar me mjetin tip “Ford”, 3 shtetas të huaj, i cili pas kryerjes të testit të alkoolit, rezultoi se drejtonte mjetin në gjendje të dehur”-, vijon njoftimi.

“Dy shtetasit e lartpërmendur, iu kishin premtuar shtetasve të huaj, kalimin dhe transportimin e tyre drejt vendeve të BE-së, kundrejt fitimit prej 500 euro secilit.Nga ana e Policisë, po punohet për të vendosur përpara përgjegjësisë ligjore edhe persona të tjerë, të dyshuar si të implikuar në këto ngjarje.  Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorive të Rretheve Gjyqësore Korçë e Pogradec për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve” si dhe “Drejtimi i mjetit në gjendje të dehur” në ngarkim të shtetasit P.Gj”-, përfundon njoftimi i Policisë Vendore Korçë. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.