INSTAT: Ndërmarrjet me mbi 50 të punësuar japin kontributin kryesor në ekonomi

TIRANË, 11 nëntor/ATSH/- Ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar japin kontributin kryesor në ekonomi, edhe pse përbëjnë vetëm 1,2 % të ndërmarrjeve aktive.

Instituti i Statistikave (INSTAT) publikoi rezultatet paraprake të anketës strukturore të ndërmarrjeve për 2018-n, sipas të cilës ndërmarrjet me 50 e më shumë të punësuar realizuan 48,5% të shitjeve, kanë 42,2% të të punësuarve gjithsej dhe kryen 60,5% të investimeve.

Investimet e realizuara nga ndërmarrjet arritën vlerën 238 miliardë lekë nga 232 miliardë lekë në 2017, duke shënuar një rritje prej 2,8 %.

Bazuar në rezultatet e anketës, numri gjithsej i të punësuarve u rrit me 4,6 %. Sektorët me peshën më të lartë të punësimit për vitin 2018 janë sektori i tregtisë me 24,3% të punësimit, sektori i shërbimeve të tjera, ku përfshihen arsimi dhe shëndetësia private, shërbime administrative, profesionale, shkencore dhe teknike, etj., me 21,6%, të ndjekura nga sektori i industrisë përpunuese me 20,6% të të punësuarve gjithsej.

/a.gjonaj/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.