Bazuar në një ngjarje të vërtetë/ “Zogu i zi” rikthehet në “ArTurbina”

TIRANË, 11 nëntor /ATSH/ – Vepra teatrore “Zogu i Zi” shkruar nga David Harrower rikthehet këtë herë për publikun kryeqytetas në skenën e “ArTurbinës”.

Me regji nga Kiço Londo dhe interpretimin e aktorëve Laura Nezha, Alfred Trebicka dhe Rexhina Ibro (vajza e vogël) kjo shfaqje e bazuar në një ngjarje të vërtetë të kronikës do vij në skenë në datat 16 dhe 17 nëntor.

15 vjet pas historisë së dashurisë tragjike në kohë të gabuar të 12-vjeçares Una me 41-vjeçarin Rei, histori e cila ka shkatërruar jetët, Una shfaqet përpara tij. Ajo ka ngrirë në kohë, pa shpresë.

Në pamje të parë, duket sikur Una vjen për hakmarrje, për larje hesapesh, por motivet e ardhjes janë më komplekse, sepse marrëdhënia e tyre ka qenë më e komplikuar se marrëdhënia e abuzuesit me viktimën. Ajo, e siguron se e do. Ai, i shtërnguar dhe në ankth, e siguron se nuk ka pasur ndjenja për ndonjë vajzë tjetër aq të re, duke u përpjekur për t’i shpëtuar përmbytjes së një dashurie të çmendur, që tek Una ka mbetur e njëjtë. Kujtimet erotike përzihen.

Intensiteti arrin kulmin ndërkohë që personazhet zbulojnë ndjenjat dhe të vërtetat e fshehura mirë ndër vite, në lidhje më atë që realisht ka ndodhur para 15 vitesh. Dy fantazma të së tashmes, të pafajshëm sa dhe fajtorë, dy njerëz që jetuan diçka të mrekullueshme dhe të frikshme njëherësh, që shoqëria dhe ligji i etiketoi abuzuesi dhe viktima.

“Zogu i Zi” është një pjesë e tmerrshme teatrore, thellësisht shqetësuese, emocionalisht e brishtë, që të lë pa frymë dhe të prekur. Pjesa ka poezi të brendshme dhe shoqërohet me tërbim, frikë dhe të panjohura.

Në thelb vepra teatrore “Zogu i Zi”, fton që shoqëria të dialogojë për sa i përket çështjeve të nxehta, duke përfshirë kufijtë ligjorë si dhe pozicionin human në botën moderne. /a.a/j.p/

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.