Tregtimi i Eurobondit në bursat e huaja, norma e interesit në trend rënës

TIRANE, 9 nëntor/ATSH/- Eurobondi i shtetit shqiptar me madhësi 500 milion euro i emetuar në tetor të vitit 2018 me maturim në 2025-n që prej emetimit të tij e deri më tani është tregtuar në bursat e huaja me një “spread” (është diferenca midis normës së interesit të eurobondit të shtetit shqiptar me një normë referencë që kalkulohet në bazë të një metodologjie standarde) që ka njohur një trend përgjithësisht rënës.

Eurobondi shqiptar u emetua me një normë interesi (yield) prej 3.5%, qenësisht më të ulët se sa të dy eurobondet e mëparshme ai i vitit 2010 dhe 2015.

Pas një luhatje të lehtë në rritje gjatë muajve maj-gusht, gjatë dy-tre muajve të fundit ai është rikthyer sërish në një trend qartësisht rënës.

Aktualisht tregtohet me një “spread” rreth 70 pikë bazë ose rreth 23% më pak se sa “spread” që kishte në momentin e emetimit të tij.

Gjithashtu edhe instrumentet e borxhit publik të brendshëm të emetuara në tregun e brendshëm financiar kanë vijuar të shiten me norma interesi në nivelet më të ulëta historike.
Edhe në këtë treg, pas një luhatje të lehtë në rritje të normave të interesit gjatë muajve maj-gusht, muajt e fundit kanë regjistruar sërish rënie të tyre.

Këto tregues janë indikacione direkt, në këtë rast dukshëm pozitive, sa i takon perceptimit të aktorëve ekonomikë mbi financat publike shqiptare dhe perspektivës makroekonomike afatmesme e afatgjatë të vendit në tërësi.

Eurobondi i parë i emetuar në vitin 2010, doli me një interes rreth 9% dhe më pas në tregtim, për shkak të përkeqësimit financiar dhe fiskal në vend në vitet 2011-2012, shkoi edhe në nivele 11-12%.

Në vitin 2015 kemi shënuar daljen e dytë me 450 milion euro, me afat maturimi 5-vjeçar dhe me një normë interesi 5.75%.

/a.gjonaj/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.