Sejko për kriptovalutat: Projektligji do të sjellë risi

TIRANË, 8 nëntor /ATSH/ Kriptovalutat janë risi teknologjike, të cilat janë duke u zhvilluar me shpejtësi.

Banka e Shqipërisë vazhdimisht i ka studiuar dhe i ka parë, si të gjitha bankat qendrore, këto zhvillime në tregjet financiare ndërkombëtare dhe shprehet se duhet një konsultim më i gjerë edhe me autoritetet ndërkombëtare, për zhvillimin dhe për të pasur një projektligj dhe në fund një ligj sa më të mirë, në mënyrë që të shmangen të gjitha rreziqet që vijnë nga kriptovaluta, por nga ana tjetër të merren përfitimet në ekonominë shqiptare.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, u shpreh të mërkurën në interes të medias, për projektligjin e ri që synon të lejojë kriptovalutat në Shqipëri, se “zhvillimet e sotme teknologjike në botë ecin shumë shpejt dhe bankat qendrore janë duke zhvilluar kapacitetet e tyre në këtë drejtim. Projektligji do të sjellë një risi dhe risqet do të jenë të menaxhuara. Ligji ka aftësinë që shumë rreziqe t’i rregullojë e t’i parandalojë. Nëse do të jetë ky rasti dhe nëse do të vlerësojmë se ekonomia do të ketë përfitime, ne do ta mbështesim”. e.xh/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.