FOTOGALERI/ Peizazhet e Shqipërisë në telajot e piktorëve në gjurmët e udhëtimit të Edward Lear

TIRANË, 8 nëntor /ATSH/ – Në ambientet e Muzeut Historik Kombëtar është çelur për publikun ekspozita me titull “Në udhëtim me Edward Lear në Shqipëri”.

Ekspozita “Në udhëtim me Edward Lear në Shqipëri” sjell punime të piktorëve shqiptarë të peizazhit që udhëtuan në gjurmët e Edward Lear nëpër Shqipëri, të cilët hodhën në telajo peizazhet e ditëve tona. Pikturat e tij paraqesin pamje nga vendi ynë, si edhe veshje tradicionale të popullsisë vendase në mesin e shekullit XIX.

I pranishëm në ceremoninë e hapjes së kësaj ekspozite ishte Ministri i Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili u shpreh, “kjo është një ide gjeniale në krijimin e këtij itinerari turistik për vendet ku ka udhëtuar Edward Lear, kjo ekspozitë na ndihmon në evidentimin e peizazheve të vendit tonë, për të dhënë idenë sesi ka qenë dhe sesi është transformuar realiteti shqiptar në ditët e sotme dhe sesa bukur kanë ardhur”.

Në fjalën e tij, drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, Dr. Dorian Koçi, u shpreh se, “të nderuar miq e dashamirës është kënaqësi për ne ku do kemi mundësinë të shohim e vizitojmë bukuritë e fshehura të vendit tonë, përmes peizazheve të cilat na kanë dhënë një qasje akoma dhe më të qartë”.

Piktori Kujtim Buzi tha se, “kjo ekspozitë do të mbahet mend për vlerat e saj kulturore dhe historike, Edward Lear pushtoj vendin tonë me penën e tij duke pushtuar zemrat dhe mëndjet e intelektualëve dhe artistëve shqiptarë”.

Ky aktivitet është një organizim i Institutit të Librit dhe të Promocionit, me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit si dhe të Muzeut Historik Kombëtar. /a.a/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.