AKZM dhe Shoqata Kombëtare e Parqeve, studim mbi sistemin e zonave të mbrojtura në Shqipëri

TIRANË, 8 nëntor /ATSH/ – Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) ka përzgjedhur Shoqatën Kombëtare të Parqeve të Shqipërisë për realizimin e një studimi mbi vlerësimin dhe rishikimin e të gjithë sistemit të zonave të mbrojtura në Shqipëri.

Ky vlerësim do të ndihmojë në përmirësimin e menaxhimit të zonave të mbrojtura sipas kërkesave dhe standardeve ndërkombëtare dhe eksperiencës së vendeve Evropiane, duke ruajtur dhe përdoruar në mënyrë të qëndrueshme burimet natyrore brenda tyre.

Pasi janë zhvilluar 2 takime, një në Shkodër dhe një në Fier, në takimin e tretë po prezantohet studimi i zonave të mbrojtura mjedisore për qarqet Korçë, Elbasan, Berat dhe Gjirokastër.

Qëllimi i studimit është rishikimi i sistemit të zonave të mbrojtura, me synim rivlerësimin e tyre, i cili do të ndihmojë së pari, në përmirësimin e menaxhimit të zonave të mbrojtura, sipas kërkesave dhe standardeve ndërkombëtare dhe eksperiencës së vendeve europiane, duke ruajtur dhe përdoruar në mënyrë të qëndrueshme burimet natyrore në to.

Gjithashtu do të krijohet një databazë funksionale e aksesueshme nga të gjithë, e cila përfshin saktësimin e hartave të tyre.

Qeveria e Shqipërisë ka miratuar një sistem të zonave të mbrojtura (ZM), që shtrihet në mbi 18% të territorit të vendit. Baza e sistemit të zonave të mbrojtura konsiston kryesisht në 14 parqe kombëtare, disa rezervate natyrore të menaxhuara e peizazhe të mbrojtura, në të cilat strehohen vlerat më të mëdha natyrore dhe të biodiversitetit në vend./a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.