Veseli para Gjykatës Speciale, Rama: Mbetet e drejta për të treguar të vërtetën për të drejtën e fituar me luftë

TIRANË, 7 nëntor /ATSH – I. Vata/- Kryeministri Edi Rama ka shprehur solidaritet me kryetarin e Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, ndërsa ka theksuar se sado e padrejtë ftesa e Gjykatës Speciale për luftëtarët e UÇK, mbetet e drejta për të treguar të vërtetën.

“Sado e padrejtë ftesa për në Gjykatën Speciale për luftëtarët e UÇK, nuk mbetet tjetër veçse e drejta për të treguar të vërtetën për të drejtën e fituar me luftë nga një popull, që pa Ushtrinë Çlirimtare do të ishte ende i mohuar në të drejtën e tij! Solidarë me Kadri Veselin”, shprehet Rama.

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Kadri Veseli, njoftoi sot se është i ftuari i radhës për intervistim nga Gjykata Speciale duke shtuar se epoka e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është pjesa më krenare e jetës së tij. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.