TIRANË, 7 nëntor /ATSH/ – Kanë vijuar takimet e efektivëve të Policisë Rrugore Fier me nxënësit e shkollave, të cilët këtë herë janë ndalur në shkollën 9-vjeçare “Liri Gero”.Në këtë kuadër, punonjësit e Policisë Rrugore janë ndalur në një bashkëbisedim me nxënësit e klasës së gjashtë duke tërhequr vëmendjen e këtyre të fundit.
Rritja e parametrave të sigurisë së jetës në rrugë për nxënësit dhe mbi të gjitha sensibilizimi i drejtuesve të automjeteve dhe këmbësorëve për të respektuar rregullat e qarkullimit rrugor kanë qenë në fokus të bisedës, e cila ka kaluar edhe mes pyetjeve e përgjigjeve.
Vetë nxënësit kanë treguar interes për çështjet e ngritura gjatë këtij bashkëbisedimi, ndërkohë që edhe një herë është theksuar bashkëpunimi i mirë që është krijuar mes Policisë dhe shkollës, falë fushatave të vazhdueshme sensibilizuese.
Për të garantuar siguri maksimale në rrugë, si në akset brenda në qytet dhe në periferi, është detajuar një plan masash, veçanërisht në akset me fluks automjetesh, pranë shkollave e kopshteve, ku shpeshherë ndihmohen qytetarët e nxënësit të kalojnë nga njëra anë e rrugës në tjetrën dhe këto pamje nuk janë të rralla në Fier.
Duke qenë se siguria rrugore është detyrim i të gjithëve, të gjithë duhet të japim kontributin tonë, sado të vogël, për të shmangur aksidentet. /a.g/
