“Shqiptarët dhe Aleatët e Mëdhenj”, studiues nga Tirana dhe Prishtina në tryezë shkencore

TIRANË, 7 nëntor /ATSH/ Nën moderimin e prof. dr. Hamit Kabës, u zhvillua sot tryeza shkencore: “Shqiptarët dhe Aleatët e Mëdhenj (Britania e Madhe, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Sovjetik) gjatë Luftës së Dytë Botërore”. Kjo tematikë përmbylli tre ditët e debatit shkencor “Shqiptarët në Luftën e Dytë Botërore”, aktivitetit i organizuar nga Instituti i Historisë pranë Akademisë së Studimeve Albanologjike në bashkëpunim me Muzeun Historik Kombëtar.

Studiues nga Tirana dhe Prishtina sollën në vëmendje një sërë problematikash që lidhen me qëndrimin e Aleatëve të Mëdhenj ndaj Shqipërisë dhe çështjes shqiptare në rrjedhën e Luftës së Dytë Botërore.

Prof. Dr. Hamit Kaba mbajti referatin “Shqiptarët dhe projekti britanik për zbarkim në Ballkan”. Drejtori i Institutit të Historisë së Prishtinës, prof. asoc. dr. Sabit Syla trajtoi çështjen “Kosova ndërmjet Fuqive të Boshtit dhe Aleatëve të Mëdhenj Perëndimorë”.

Prof. Jakup Krasniqi mbajti kumtesën “Shqiptarët dhe çështja e bashkimit gjatë Luftës së Dytë Botërore”; drejtori i Muzeut Historik Kombëtar, ndërsa dr. Dorian Koçi referoi “Shqipëria dhe aleatët britanikë, 1943-1944: miqësi dhe paragjykime”.

Prof. dr. Ksenofon Krisafi referoi mbi “Njohjen ndërkombëtare të regjimit të ri politik në Shqipëri pas Luftës së Dytë Botërore”;  prof. dr. Romeo Gurakuqi me referimin e tij hodhi tezën nëse është njohur regjimi i Enver Hoxhës nga Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA 1945-1946?

Ashtu si në tryezat e mëparshme, edhe në këtë të fundit, të pranishmit diskutuan për shumë nga çështjet e parashtruara nga referuesit, por edhe për tematika të tjera të debatueshme të historisë së shqiptarëve gjatë Luftës së Dytë Botërore. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.