Shpëtimi i Alvinit, Conte: E ndoqa personalisht ngjarjen, në kontakt të vazhdueshëm me kryeministrin Rama

TIRANË, 7 nëntor /ATSH/ Kryeministri italian Giuseppe Conte tha sot, në reagim ndaj shpëtimit të Alvinit nga kampi Al-Hol në Siri, se në orët e ardhshme ai do të bashkohet me babain e tij në Itali. Ai shprehet se e ka ndjekur ngjarjen dhe ka qenë vazhdimisht në kontakt me kryeministrin Edi Rama.

“Rikthimi i Alvinit në shtëpi është një nga ato histori që të mbushin zemrën. Fëmija shqiptar, i cili për vite me radhë ka qenë në një kamp refugjatësh në Siri, në orët e ardhshme do të mundet më në fund të ribashkohet me babain e tij që e pret në Itali. Kjo është arsyeja që u shpreh falënderimet e mia të sinqerta të gjitha autoriteteve italiane dhe shqiptare, organizatave humanitare, atyre që kanë bashkëpunuar në këtë operacion kompleks, në një situatë aq të vështirë sa ajo siriane. Falënderoj gjithashtu median që zbardhi historinë e Alvinit të vogël”, theksoi kryeministri Conte.

“Qeveria italiane ka bërë gjithçka për lirimin e tij. E kam ndjekur personalisht nga afër zhvillimin e historisë dhe kam qenë në kontakt të vazhdueshëm me kryeministrin shqiptar, Edi Rama”, u shpreh ai.

“Një sukses i jashtëzakonshëm jo vetëm për diplomacinë, por kryesisht për bashkëpunimin ndërkombëtar, në sajë të rolit të çmuar të luajtur nga Kryqi i Kuq italian dhe Gjysmëhëna e Kuqe dhe ndërhyrjes vendimtare të reparteve speciale të policisë dhe karabinierëve. Për Alvinin më e keqja ka kaluar tashmë, për disa orë ai do të jetë i lirë. I lirë për të jetuar fëmijërinë e tij, për të luajtur sërish, për të menduar dhe ndërtuar të ardhmen e tij pa detyrime dhe larg bombave, luftës dhe fanatizmit”, përfundoi kryeministri italian, Giuseppe Conte./ /ec/j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.