PRISHTINË, 7 nëntor/ATSH/ KQZ ka shpallur rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të 6 tetorit. Pas përfundimit të numërimit të votave Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 26,159% të votave, duke u konfirmuar kështu për herë të parë në historinë e zgjedhjeve në shtetin e Kosovës si parti fituese e zgjedhjeve të përgjithshme parlamentare.
Sipas kryetares së KQZ-së Valdete Daka, në vendin e dytë renditet Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) me 24,459%; PDK 21,163%, AAK-PSD 11,477%, Nisma – 4,984% dhe Lista serbe 6,754%.
Mbi bazën e këtyre rezultateve përfundimtare të zgjedhjeve Lëvizja Vetëvendosje do të ketë në parlamentin e ri 32 deputetë, LDK 29, PDK 25 deputetë, AAK-PSD 14 dhe Lista serbe 10 deputetë.
Siç shihet nga rezultati Koalicioni Nisma Socialdemokrate-Kosova e Re-Partia e Drejtësisë nuk e kaluan pragun zgjedhor, prandaj mbeten jashtë parlamentit të ri.
Pas shpalljes së rezultateve, është periudha që partitë politike, apo kandidatët mund t’i bëjnë ankimim së pari në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe pastaj në Gjykatën Supreme. /KosovaPress/
