Plagoset punonjësi i IKMT në zonën e Astirit, transportohet me urgjencë në spitalin ushtarak

TIRANË, 7 nëntor /ATSH/ – Një ngjarje e rënde ka ndodhur sot paradite në zonën e Astirit, me banorët e kësaj zone dhe një prej punonjësve të IKMT.

Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit përmes një deklarate për mediet njofton se, “gjatë kryerjes së detyrës, punonjësi A.B, 50 vjeç, është goditur me mjete të forta nga banorët duke i shkaktuar frakturë të fortë në kokë dhe në duar. Ai është transportuar me urgjencë në spitalin ushtarak për të marrë mjekimin e duhur”.

IKMT denoncon fort këtë akt barbar mbi punonjësin e saj dhe kërkon nga organet përkatëse të shtetit të marrin masat e menjëhershme për vënien para përgjegjësisë së autorëve.

“Punonjësi i IKMT, ishte duke kryer detyrën, teksa lajmëronte poseduesit e disa objekteve në këtë zonë se janë pengese e zbatimit te projektit te Unazës së Madhe”, – thuhet në reagimin e IKMT.

Po ashtu IKMT u bën thirrje banorëve dhe qytetarëve, se “punonjësit e saj janë në shërbim të ligjit dhe komunitetit dhe nuk do të tërhiqen për asnjë moment nga detyrat e tyre, pavarësisht sjelljeve rrugaçërore, barbare dhe të paligjshme”. /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.