Pasojat e motit mbi rrjetin, OSHEE në terren për riparimin e dëmeve

TIRANE, 7 nëntor/ATSH/ – Moti i keq dhe me reshje shiu që ka përfshirë vendin ka shkaktuar mjaft probleme në furnizimin me energji elektrike për shkak të dëmtimeve në rrjetin e shpërndarjes.

Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike bën të ditur se gjatë natës janë shkaktuar disa dëmtime në linjat e tensionit të mesëm dhe të ulët , por sipas OSHEE-së po punohet nga të gjithë grupet e punës në terren për të riparuar defektet e shkaktuara.

“OSHEE po ndjek me vëmendje situatën e rrjetit elektrik përmes grupeve të gatishmërisë. Raportohet se gjatë natës janë dëmtuar linja të nivelit TM/TU, kryesisht në zona rurale. Grupet e punës janë terren, gati për të ndërhyrë, edhe pse vijon mot i keq, me reshje dhe fortunal,” shprehet OSHEE.

Ndërkohë, në Tiranë për shkak të problemeve të shkaktuara në nënstacionin e Valiasit, si pasojë e rrëzimit të shtyllave të tensionit të mesën janë shkaktuar avari në furnizimin me energji në zonën Brukës-Rinas.

“Për shkak të motit me reshje të dendura dhe me erë të fortë janë rrëzuar shtylla të tensionit të mesëm, pjesë e fiderit 143 i N/St Valias. Avari është shfaqur në zonën Brukës-Rinas. Grupet e OSHEE Tiranë Njësia 3 është duke punuar për rikthimin e energjisë elektrike,” bën të ditur OSHEE. /a.sh./ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.