NIKOZI – Qipro nënshkruan marrëveshjen e parë për shfrytëzimin e gazit

NIKOZI, 7 nëntor /ATSH-AFP/ – Qipro njoftoi sot se kishte nënshkruar marrëveshjen e parë për shfrytëzimin e gazit, me një vlerë prej 9,3 miliardë dollarë (8,4 miliardë euro), me një konsortium që grupon shoqëritë anglo-holandeze Shell, amerikane Noble dhe izraelite Delek.

“Noble Energy, Shell dhe Delek kanë tashmë në dorë licencën e parë të shfrytëzimit të akorduar nga Republika e Qipros, pra ata mund të tregtojnë burimet”, deklaroi ministri qipriot i Energjisë, George Lakkotrypis, pak pas nënshkrimit të marrëveshjes.

Licenca e shfrytëzimit, me një kohëzgjatje prej 25 vitesh, përfshin fushën e gazit Aphrodite, zbulimi i parë në ishullin e Mesdheut nga shoqëria Nobel në vitin 2011.

Rezervat e tij janë vlerësuar me 113 miliardë metra kub gaz.

Marrëveshja u nënshkrua pasi qeveria kishte miratuar rishikimet e kërkuara nga kompanitë për shkak të uljes së çmimeve të hidrokarbureve që prej mesit të vitit 2014.

Pas marrëveshjes së negociuar, Nikozia do të marrë mesatarish 520 milionë dollarë në vit për 18 vjet.

Lakkotrypis theksoi se sipas pikave të marrëveshjes së re, konsortiumi është i detyruar të fillojë shfrytëzimin e gazit dhe të gjenerojë të ardhura deri në vitin 2025./ /ec/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.