Moti i keq/ Prefekti Jaku për ATSH: Nuk ka probleme në qarkun e Lezhës, hidrovorët në kuota normale pune

TIRANË, 7 nëntor/ATSH/- Reshjet e dendura të shiut të rëna ditët e fundit në qarkun e Lezhës nuk kanë sjellë shumë probleme.

Prefekti i qarkut të Lezhës, Gjok Jaku, tha për ATSH-në se “nga dita e djeshme deri në këto momente në qarkun e Lezhës kanë rënë 80 milimetra shi pa ndërprerë, por për fat të mire nuk ka probleme madhore pasi të gjitha hidrovoret të Kurbinit dhe Lezhës punojnë me kuota normale, jo të shtuara”.

“Kemi vetëm një sipërfaqe prej 250 ha në Fushë Kuqe dhe Fushë Milot, me përmbytje sipërfaqësore gjë që nuk përbën problem, sepse konsiderohet sipërfaqësore. Uji është tërhequr shumë shpejt dhe në këtë sipërfaqe ka patur pak kulturë bujqësore të mbjellë”,- tha Jaku.

Prefekti Jaku u shpreh se “prurjet e lumit Drin, Mat dhe Drojë nuk rrezikojnë në dy krahët e tyre”.

“Jemi në një situatë ku reshjet janë normale dhe nuk ka probleme shqetësuese në qarkun e Lezhës”, shtoi Jaku.

Sipas tij, të gjitha rrugët nacionale e rurale janë të hapura.

Prefektura e qarkut të Lezhës po vijon monitorimin e situatës./k.s/ /a.g/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.