Kukës/ Rrugët nacionale të kalueshme, problematike rruga Ura e Zapodit-Shishtavec

TIRANË, 7 nëntor/ATSH/- Rrugët nacionale në qarkun e Kukësit janë të kalueshme, pavarësisht reshjeve të dendura të shiut që kanë përfshirë këtë qark ditët e fundit.

Përgjegjësi i Emergjencave Civile e Krizave pranë Prefektit të qarkut Kukës, Xhemali Onuzi, bëri të ditur për ATSH-në se “në territorin e qarkut Kukës, gjatë natës kanë vijuar rreshjet e shiut dhe vazhdojnë me intensitet mesatar. Nga informacionet e marra nga përgjegjësit e emergjencave të bashkive situata në 3 bashkitë ka qenë normale, nuk kemi situata emergjente përveç në bashkinë Tropojë kemi një bllokim nga rënie inertesh të segmentit rrugor që lidh fshatin Markaj me fshatin Tetaj, njësia administrative Lekbibaj”.

“Nga bashkia Tropojë është dërguar një fadromë dhe dy punëtorë për zhbllokimin e saj”,- tha Onuzi.

Onuzi u shpreh se “rrugët nacionale në qarkun Kukës janë të kalueshme, ku nga firmat kontraktore që mirëmbajnë këto rrugë po punohet për mbajtjen në gatishmëri të tyre si në largimin e inerteve dhe hapjen e tombinave”.

Por, sqaron ai, ngelet problematike rruga Ura e Zapodit-Shishtavec.

“Nga njësia administrative Shishtavec janë dërguar punonjës për të mbajtur në gjendje të kalueshme këtë segment. Deri në këto momente nuk kemi situata emergjente”,- tha Onuzi.

Në qarkun e Kukësit prej dy ditësh ka pasur reshje të dendura shiu deri në 24.4 milimetra./k.s/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.