KOMENT – ”Liri-barazi-vëllazëri” në versionin e ri për Ballkanin Perëndimor

TIRANË, 7 nëntor /ATSH/ – Në fjalimin e tij të famshëm në Sorbonë, në shtator 2017, për të ardhmen e Europës, presidenti francez, Emmanuel Macron foli për diferencimin e brendshëm të unionit, shkruan politologia Emilija Tudzarovska Gjorgjievska e socialeurope.ru.

”Asnjë shtet nuk duhet të përjashtohet nga procesi, por asnjë vend nuk duhet të jetë në gjendje të bllokojë ata që duan përparojnë më shpejt ose gradualisht”, deklaroi ai.

Megjithatë, Macron ka frenuar zgjerimin e një Europe sovrane, të bashkuar dhe demokratike, duke konfirmuar ”jo”-në franceze për hapjen e bisedimeve të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, duke rikonceptuar në mënyrë të njëanshme instrumentin e zgjerimit të BE-së.

Në përputhje me atë që Macron ka paraqitur si strategji franceze të sigurisë për Ballkanin Perëndimor dhe konceptualizimin konvencional të Europës në rrathë koncentrikë, rrethi periferik i BE-së shihet si e vetmja mundësi për shtetet e Ballkanit Perëndimor, nëse zgjerimi do të rinovohet. Nuk është e qartë se në cilin rreth e lë kjo gjë qytetarin e zakonshëm të rajonit, i cili do të kërkonte përgjegjësi për një vendim të tillë.

Kontrollet dhe ekuilibrat e dobët

Një nga treguesit kryesorë të regresit demokratik në vendet e Ballkanit Perëndimor, siç raportohet në Indeksin Gjerman të Transformimit (Bertelsmann Stiftung), është paqëndrueshmëria dhe mungesa e efektivitetit të institucioneve demokratike, veçanërisht e parlamenteve kombëtare. Me kontrolle dhe ekuilibra të  dobët, elitat e partive politike janë aktorët kryesorë dhe forca shtytëse e politizimit të rregullave të lojërave. Mungesa e ushtrimit të përgjegjësisë demokratike dhe shkëputjes nga qytetarët e zakonshëm janë karakteristikat kryesore të epërsisë së drejtuesve mbi ligjin.

Në rrethana të tilla, BE si aktor i jashtëm, pritet të sillet si kujdestar moral i ushtrimit të ligjshëm të pushtetit, bazuar në standarde dhe parime demokratike. Çdo deficit në ushtrimin e përgjegjësisë demokratike në nivelin e BE-së mund të ketë efekte të shumta në proceset dhe arsyetimet në nivelin e shtetit të një kombi.

Duke pranuar zyrtarisht që anëtarësimi në BE është alternativa më e mirë për thyerjen e zinxhirëve të së kaluarës dhe shfrytëzimin e mundësisë për t’u bashkuar me klubin e shoqërive moderne dhe të zhvilluara, elitat qeveritare në Ballkanin Perëndimor vazhdojnë të justifikohen nëpërmjet parlamenteve të tyre kombëtare, megjithëse këto institucione janë anashkaluar në procesin e demokratizimit dhe elitave u mungon mundësia për rigjallërimin e tyre sistematik. Në këtë rreth vicioz, po rritet shkëputja e tyre nga qytetari dhe shoqëria shkëputet më tej nga shteti i së drejtës.

Dobësimi i përgjegjësisë

Në këtë kontekst, kur Macron zgjedh të ndikojë në marrëveshjen drejt hapjes së negociatave të pranimit, reflektuar në konkluzionet e Këshillit Europian mbi Zgjerimin dhe Stabilizimin dhe Procesin e Asocimit në qershor të vitit 2018, ai dobëson parimin demokratik të përgjegjshmërisë dhe transparencën e vendimmarrjes.

Justifikimi i tij ishte mungesa e një metodologjie efektive për të monitoruar përparimin e vendeve dhe marrëdhëniet e çuditshme mes BE-së dhe shteteve aplikuese. Në rrethana të drejta dhe transparente, një metodologji e re, me rregulla dhe procedura të standardizuara është vërtet e nevojshme. Por, Macron e komunikoi këtë ide në minutën e fundit, duke mos u konsultuar as me shtetet aplikuese dhe as me Komisionin Europian, institucionin kryesor që ka mandat për të monitoruar përparimin e tyre.

Kjo mungesë komunikimi nuk është e re. Diplomacia franceze gëzon një reputacion të fortë indiference në Ballkanin Perëndimor dhe Macron u tha ambasadorëve francezë se përfshirja e tyre ishte e papërshtatshme. Për më tepër, ai deklaroi në fjalimin e tij në Sorbonë se, kur Greqia, Spanja dhe Portugalia hynë në Komunitetin Ekonomik Europian të atëhershëm, ishin simboli i lirisë për ata që lanë pas diktaturën.

Dinamika të ndryshme

Këto shtete të Mesdheut, shembuj të mirëqenies, janë përballur me sfidat e tyre unike në adresimin e korrupsionit, nga të cilat asnjë vend nuk është imun. Megjithatë, Ballkani Perëndimor karakterizohet nga shembulli i mirëqenies lindore europiane, në dallim nga modelet skandinave, ose si rasti i Francës, modelet kontinentale europiane. Pra, këto vende përballen me dinamika të ndryshme dhe ndryshime në aspektet politiko-institucionale dhe socio-ekonomike, duke lejuar boshllëqe institucionale aty ku lindin sjelljet korruptive.

Shqyrtimi i korrupsionit, pa shqyrtuar specifikat e sistemeve politike, shtetet e mirëqenies, të drejtat e qytetarëve dhe vlerat dhe qëndrimet, bëhet detyrë e pamundur. Për më tepër, rrethanat ekonomike të kalimit në një rend të ri liberal, mbeten një barrë për shoqëritë e Ballkanit Perëndimor dhe favorizojnë mundësi për shfuqizimin e normave. Kontradiktat midis vlerave shoqërore lindore dhe perëndimore, pengojnë realizimin e parimit të solidaritetit, si dhe rrisin tensionet dhe keqkuptimet e domosdoshme për zgjerim të mëtejshëm.

”Jo”-ja franceze shkatërron më tej besimin e qytetarëve në sistemin e vlerave dhe dobëson përpjekjet për të kapërcyer këto kontradikta dhe rigjallëruar përpjekjet e brendshme drejt përparimit dhe stabilitetit. Një ushtrim i tillë pushteti mbi shoqëritë e brishta dhe të nënshtruara, përcjell mungesë solidariteti, kur shumë njerëz akoma mund të përballojnë vetëm nevojat më bazike.

Vizioni modern

Në këto periudha kryesore, të formuara nga ndryshimet globalizuese, tre faktorë kryesorë do të përcaktojnë statusin e BE-së dhe marrëdhënien e saj me Ballkanin Perëndimor: respektimi i të drejtave dhe dinjitetit të njeriut, ushtrimi i parimeve dhe normave demokratike si standarde morale dhe manifestimi i solidaritetit shoqëror. Politikanët të cilët kanë ambicien për të parë veten si udhëheqës të një Europe të rinovuar, do të duhet të paraqesin një strategji për forcimin e lidhjes midis lindjes dhe perëndimit, ndërsa shqyrtojnë boshtin veri-jug dhe demonstrojnë një vizion modern të vlerave ”Liri-Barazi-Vëllazëri”.

Vendet e Ballkanit Perëndimor qëndrojnë si një urë lidhëse midis këtyre dy akseve europiane dhe vetëm përfshirja e tyre e plotë në BE, mund të normalizojë rregullat e lojës.

Megjithatë, duke qenë se udhëtimi i tyre europian mbetet i paqartë, investimi për të rigjallëruar institucionet e tyre demokratike, veçanërisht parlamentet kombëtare, është strategjia më e mirë që shtetet e Ballkanit Perëndimor mund të miratojnë. / /sara/ a.jor.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.