Inflacioni në nivelin 1,4% në 3-mujorin e tretë të vitit 2019

TIRANË, 7 nëntor /ATSH/ Inflacioni mesatar i tremujorit të tretë të këtij viti, rezultoi në vlerën 1,4%, nivel ky i njëjtë me atë të regjistruar në tremujorin paraardhës.

Banka e Shqipërisë argumenton se, kontributi në rënie i inflacionit të mallrave të konsumit joushqimor dhe i shërbimeve të strehimit u kompensua nga inflacioni më i lartë i artikujve të kategorisë së shërbimeve (hoteleri turizëm) dhe i mallrave të konsumit afatgjatë (makina, pajisje shtëpiake).

Sipas Bankës Qendrore, ecuria e çmimeve ka pasqyruar forcimin e presioneve të brendshme inflacioniste dhe rënien e inflacionit në vendet partnere.

Ndërkohë që në projeksionet e të ardhmes, Banka e Shqipërisë gjykon se rritja e pagave dhe e kostove të prodhimit, si dhe stabilizimi i kursit të këmbimit, krijojnë premisa për kthimin gradual të inflacionit në objektiv 3%.

“Parashikimet tona, – thekson BSH-ja, – në skenarin e tyre bazë, sugjerojnë se ritmi i rritjes ekonomike do të vijë në përmirësim gjatë dy viteve të ardhshme, duke mundësuar kthimin e inflacionit në objektiv brenda këtij horizonti kohor”. /e.xh/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.