Agjencia Telegrafike Shqiptare

Forumi global i pensioneve private, Denaj: Të angazhuar të çojmë përpara reformat

Tiranë, 7 Nëntor/ATSH/- Problemet e sigurimeve shoqërore e veçanërisht të pensioneve, janë trajtuar gjerësisht nga qeveria shqiptare. Ato mbeten të rëndësishme për vetë fokusin që adresojnë, sigurimin e një pensioni për të mbrojtur moshën e tretë nga rreziku i varfërisë dhe ruajtja e një niveli të pranueshëm të konsumit me mbarimin e periudhës së punësimit.

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj, mori pjesë në hapjen e forumit global për pensionet private “Zhvillimi dhe mbikëqyrja e marrëveshjeve për fondet e pensioneve” që po zhvillohet për herë të parë në Shqipëri.

Ministrja Denaj në fjalën e saj theksoi se shërbimet financiare kanë pësuar një rritje prej 9% në tremujorin e parë të vitit 2019 dhe një rritje prej 13% në tremujorin e dytë.

“Këto shifra na bëjnë optimistë për këtë vit, pasi kjo shërben si një bazë e mirë e zhvillimit të mëtejshëm jo vetëm të produkteve financiare tradicionale, por edhe atyre të reja”, theksoi Denaj.

“Shpenzimet për sigurimet shoqërore që arrijnë në rreth 25% të shpenzimeve të buxhetit te shtetit dhe pjesëmarrja e rreth 50% e popullsisë, si kontribues e përfitues të skemës së pensioneve, na detyron që të monitorojmë me kujdes këtë skemë dhe të ndërhyjmë në kohën e duhur”, vlerësoi ministrja.

Ministrja Denaj, gjithashtu theksoi se qeveria vlerëson se fondet e pensioneve vullnetare janë një mbështetje e fuqishme për sistemin e pensioneve në përgjithësi, për të rritur mbulimin, por sidomos koeficientin e zëvendësimit. Pikërisht për këtë arsye fondet janë mbështetur me incentiva financiare.

“Kuadri i plotë ligjor nuk është i përfunduar. Kërkohen akoma shumë analiza dhe studime për një vendimmarrje të rëndësishme, por jo të pamundur. Funksionimi dhe zhvillimi i fondeve private të pensioneve është i mirëpritur për të plotësuar dhe kompletuar skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore, tashmë të reformuar, duke siguruar një nivel më të lartë të ardhurash për individët. Megjithatë hapësira për zhvillimin e mëtejshëm dhe në kohën e duhur për zbatimin e kësaj shtyllë ekziston dhe duhet të shoqërohet edhe me të gjithë procesin e rolit të shtuar  të mbikëqyrjes për këtë skemë  në kompleksitetin e saj”, tha ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Denaj.

Në vitin 2018 numri i kontribuuesve arriti në 778,144 persona, kundrejt vitit 2013 është rritur me 216,975 persona, ose 38.7 % më shumë, ndërkohë që numri fizik i tyre është edhe më i lartë.

/a.gjonaj/j.p/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Exit mobile version