Basha përshëndet shpëtimin e Alvinit: Falënderoj nga zemra të gjithë ata që e bënë të mundur

TIRANË, 7 nëntor /ATSH – I. Vata/ Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha  në takimin zhvilluar me të rinjtë e Vlorës ka përshëndetur shpëtimin e Alvinit.

“Dua të shpreh kënaqësinë time personale edhe si prind për lajmin e mirë që morëm për Alvinin. Është një dramë që na ka mbajtur mbërthyer. Është drama e një djaloshi, të shkëputur nga gjiri i familjes. Dua të falënderoj nga zemra të gjithë ata që bënë të mundur, që ai të jetë i sigurt, veçanërisht autoritetet italiane, Kryqin e Kuq Italian”, tha Basha.

Po ashtu Basha tha se kjo tragjedi nuk ka mbaruar, ka ende fëmijë në Siri, por misioni vazhdon.

“Kjo tragjedi nuk ka mbaruar. Kemi dhjetëra fëmijë të tjerë në këto kampe. Misioni vazhdon. U bëj thirrje të gjithëve, veçanërisht partnerëve që na kanë ndihmuar deri tani, veçanërisht partnerëve italianë dhe partnerëve të tjerë, të bëjnë gjithçka për këta fëmijë, duke i nxjerrë nga ato kampe të tmerrshme. Por le ta mbyllim me diçka të mirë dhe t’i themi Alvinit, rrugë të mbarë e mirë se të kthesh në gjirin e familjes”, tha ai. /j.p/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.