Osmani në Bruksel: Vizat kanë mbetur zotim i papërmbushur i BE-së

PRISHTINË, 6 nëntor/ATSH/ Nënkryetarja e LDK-së, Vjosa Osmani ka zhvilluar vizitë zyrtare në Bruksel me ftesë të komisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn, njofton Lidhja Demokratike e Kosovës në një deklaratë për mediet.

Përveç takimit me komisionerin Hahn, ajo ka zhvilluar takime edhe në Parlamentin Europian, ku u prit nga zëvendëspresidenti i Parlamentit, Wieland, kryetari i Komisionit për Punë të Jashtme, David Mccallister, eurodeputetët Lucas Mandl dhe Andrew Kovachev, si dhe sekretari për Marrëdhënie me Jashtë në EPP, Patrick Voller.

Nënkryetarja Osmani ka zhvilluar takime edhe në EEAS (Shërbimin e Jashtëm të BE-së) ku u prit nga sekretarja e Përgjithshme Helga Schmidt dhe drejtoresha për Europën në EEAS, Angelina Eichhorst.

Në këto takime, Osmani ka diskutuar lidhur me zgjedhjet e fundit të mbajtura në Kosovë, arritjet dhe sfidat gjatë këtij procesi, si dhe diskutimet aktuale rreth formimit të qeverisë së re.

Gjatë takimeve u trajtua tema e dialogut Kosovë-Serbi, përpjekjet e Kosovës për fuqizimin në arenën ndërkombëtare, si dhe reformat e nevojshme për proceset integruese të saj.

Osmani ka ritheksuar se liberalizimi i vizave ka mbetur zotim i papërmbushur i BE-së ndaj qytetarëve të Kosovës, thuhet në komunikatën për media të LDK-së./KosovaPress/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.